Shkëlqimi dhe rënia e Sandër Lleshaj

Herët në mëngjes të 27 tetorit të vitit 2018, Kryeministri Edi Rama pasi pranoi dorëheqjen e Fatmir Xhafaj nga posti i ministrit të Brendshëm, gjeti edhe emrin zëvendësues për të kryer këtë funksion. Gjenerali Sandër Lleshaj, do të ishte i besuari i kryeministrit, pasi i kishte shërbyer atij si këshilltar për sigurinë.

Por ngritja e Lleshaj në detyrë nuk ishte një fillim i mbarë, pasi hasi në rezistencën e zyrës së Presidentit Ilir Meta. Sipas Metës, një ushtarak s’mund të ishte ministër.

Një krisje e pariparueshme u cilësua ky qëndrim i Metës nga ana e Edi Ramës, dhe për ditë me radhë mes qeverisë dhe Presidencës u shkëmbyen letra dhe kërkesa për të liruar Lleshaj nga funksioni i gjeneralit brigadë. Pas më shumë se 20 ditë debate, Ilir Meta i hoqi spaletat ushtarake dhe e emëroi atë Ministrin e ri të Brendshëm. (16 nëntor 2018)

Por përplasjet e para si ministër i brendshëm, Sandër i Lleshaj i kishte me deputetët e PS në komisionin e sigurisë. Një muaj pasi mori detyrën Gjenerali kërkoi me anë të një projektligji të fuste në polici ushtarakët, nisëm që u kundërshtua hapur nga socialisti Pjerin Ndreu.

Pjerin Ndreu: (dhjetor 2018): Politika ka eksperimentuar keq me policinë e shtetit

Besimi i Edi Ramës ndaj ministrit të tij, që e kishte mbrojtur fort nga kundërshtarët politik dhe nga të vetët, shtrihet edhe në një dimension tjetër, duke e emëruar atë drejtues politik në Lezhë. Pozicion që i solli edhe zbehjen e shkëlqimit të Ministrit të ri të Brendshëm.

Në këtë qark gjeti sërish Pjerin Ndreun, tashmë me detyrën e kryebashkiakut të Lezhës, të cilit nuk i kishte dalë ende inati me Ministrin e Brendshëm.

Pjerin Ndreu (10 qershor 2020):  Nëse ju mendoni se ne jemi policë të Lleshit ose ndonjë kështu harrojeni.

Kryebashkiaku, pakënaqësinë e tij ja paraqiti në takim edhe kryesocialistit Edi Rama, duke u ankuar për punën e tij si ministër dhe si drejtues politik. Pas këtyre ndodhive, Rama nuk nguroi që ta zëvendësonte atë me Lindita Nikollën në Lezhë.

Sandër Lleshaj ishte koshient që  pas ftohjes me kryeministrin, mandatin e ardhshëm nuk do të ishte më ministër dhe këtë e pranoi vetë nga Vlora, pavarësisht se më vonë u pendua.

Sandër Lleshaj (11 shtator 2020): Që nuk do të jem në këtë post është krejt e sigurt.

Madje në ditët në vijim , u vu re se Ministri i Brendshëm nuk e kishte më të shtrenjtë detyrën e tij, pasi në Parlament e vuri në bast me deputetët e opozitës për çmimin e makinës së tij të re.

Sandër Lleshaj (17 shtator 2020): Në qoftë se ai mjet nuk ka kushtuar 49 mijë euro, unë jap dorëheqjen këtu.

“Mua do të më shihni në fytyrën e çdo polici” kështu shprehej Lleshaj në fillim të detyrës së tij, por pak ditë para dorëheqjes, ai tregoi qartë përbuzjen që kishte ndaj figurës së uniformës blu.

Sandër Lleshaj (29 tetor 2020): As dua të jem i ngjashëm me ty. Polic ke qenë dhe polic ke mbetur.

Vrasja e 25 vjeçarit nga efektivi i policisë në orët e pra të mëngjesit dhe protestat  e një dite më pas, e detyruan Sandër Lleshaj të jepte dorëheqjen. Por kryeministri i ndodhur në SHBA, nuk e la që këtë veprim ta kryente ai, por i kërkoi që të priste, dhe lajmin për publikun ta jepte vetë Edi Rama.

Edi Rama: ( 10 dhjetor) : Ministri i Brendshëm më ka informuar dhe më ka vënë në dispozicion dorëheqjen e tij.

Në mandatin e dytë të qeverisë, Edi Rama ka ndërruar 3 ministra të brendshëm, dhe pak muaj para zgjedhjeve duhet të mendojë për të katërtin. Po se kush do ta zëvendësojë Sandër Lleshajn, pas dy viteve në detyrë, Kryeministri nuk e ka luksin që të nxitohet me emrin e ri, pasi para tij, ka qytetarët në protestë dhe firmën e ilir Metës.