Dhjetëra të arrestuar dhe proceduar nga protesta, paralajmërimi i Policisë: Do i përgjigjemi dhunës me dhunë
Policia e Tiranës ka arrestuar 59 persona pas protestës së djeshme në disa zona të kryeqytetit, ndërsa janë proceduar penalisht 116 të tjerë.
Sipas policisë ata akuzohen për organizim, grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, prishje të pronës, dhunë ndaj punonjësit e Policisë.
Të ndaluarit nga policia akuzohen për disa vepra penale, ndër të cilat shkatërrimi i pronës, kundërshtimi ndaj punonjësve të policisë mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike.
Sipas bluve gjithashtu, ata kanë sulmuar me gurë e me lëndë piroteknike Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatin e Policinë Nr.2.
Krahas të ndaluarve dhe të proceduarve policia thotë se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprimet e dhunshme përgjatë tubimit në qendër të kryeqytetit.
Ndërsa paralajmëron se do të ushtrohet dhunë.
"Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye"
"Shërbimet e Policisë kanë përdorur të gjitha mjetet e ligjshme për të neutralizuar personat e dhunshëm të cilët bënin thirrje për grumbullime dhe nxisin turmat për të dhunuar punonjësit e Policisë", thuhet ndër të tjera në njoftim.
Të arrestuarit dhe të proceduarit penalisht akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.
Ndërkohë, policia vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjetër të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme.
Në fund Policia e Shtetit i kujton protestuesve edhe pandeminë Covid-19:
"Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji.
Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye".
Mes të shoqëruarve ka patur dhe të mitur, ndaj sipas njoftimit zyrtarë të policisë, atyre u është bërë thirrje të ndalojnë dhe të shpërndahen, thirrje e cila nuk është vënë në zbatim. Ndër të tjera blutë apelojnë prindërit që të mos lejojnë minorenet të marrin pjesë në tubime apo të keqpërdoren nga më të rriturit, pasi pjesëmarrja vetëm rrezikon integritetin e tyre fizik dhe vështirëson punën e Policisë në menaxhimin e tubimit.