Raketa e kompanisë "SpaceX" përfshihet nga zjarri, përplaset me Tokën gjatë zbritjes

Prototipi i një rakete të kompanisë "Space-X" ka shpërthyer gjatë uljes në Tokë por testimi në vetvete është konsideruar një sukses. Qëllimi i kompanisë është të mundësojë vizitat në Mars.

Kompania amerikane e hapësirës, "SpaceX", mendon se e ardhmja e misioneve dhe e udhëtimit të njeriut drejt Marsit është e afërt porsi vetë planeti.

Raketa prototip e quajtur "Starship" fluturoi të mërkurën për 4 minuta e 45 sekonda në qiell, përpara se të zbriste dhe të shpërthente në zonën e planifikuar në Teksas.

Kompania u shpreh entuziaste se testi e përmbushi qëllimin dhe do i garantojë atyre suksesin për fluturimin e radhës.

"Në depozitën e karburantit u ul presioni gjatë zbritjes, çka shkaktoi një përshpejtim dhe më tej zbërthim me nxitim të papritur. Por morëm të dhënat që na duheshin. Mars, po vijmë!" shkroi drejtuesi i kompanisë "SpaceX", Ilon Mask, duke përgëzuar ekipin e tij.

Raketa "Starship" rreth 50 metra e gjatë u lëshua të mërkurën dhe ruajti me sukses lëvizjen vertikale, si në ngjitje, edhe në zbritje.

Prototipet më të vogla të testuara më parë kishin arritur të qëndronin në ajër jo më shumë se 1 minutë.

Kompania amerikane thotë se raketa e ardhshme do pajiset jo më me 9, por me 37 motorë, dhe do jetë 120 metra e lartë për të transportuar rreth 100 tonë mallra në orbitën e Tokës.

"SpaceX" dhe Agjencia amerikane e Aeronautikës shpresojnë që të dërgojnë raketa në Mars në vitin 2024, ku ndër pasagjerët e parë pritet të jetë edhe miliarderi japonez, Jusaku Maezaua.