"Boshllëk i veçantë", Rama mesazh për humbjen e Dr.Drinit: Kam dëgjuar për të fjalët më të mira
Kryeministri Edi Rama e nis ditën me një mesazh ngushëllimi për mjekun e ndarë nga jeta mbrëmjen e shkuar, Drini Dobi.
Sipas shefit të qeverisë, keqardhja është e madhe kur humbin jetën njerëzit, por humbja e mjekëve si Dr. Drini krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë.
Mesazhi i kryeministrit Rama
MIRËMËNGJES
Doktor Drini Dobin nuk e kam njohur personalisht nga afër, por kam dëgjuar për të fjalët më të mira nga të gjithë dhe pamjen e tij të butë e kujtoj mirë. Së fundmi kam ndjekur përmes ministres, Ogertës, ecurinë e përballjes së tij me Armikun e Padukshëm, e më pas vështirësinë e madhe të krijuar nga ndërlikimet që u shfaqën në gjendjen shëndetësore të mjekut të nderuar.
Eshtë e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë. Me këtë ndjesi e me lutjen që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet e mia vëllazërore familjes, miqve e kolegëve të tij.
Rrofshin dhe e kujtofshin gjithmonë

Dr. Drini Dobi ndërroi jetë një ditë më parë në Itali pas disa ditësh qëndrimi në gjendje kritike në Shqipëri.
Lexo edhe:
Humbje e madhe për bluzat e bardha, Covid-19 i merr jetën mjekut Drini Dobi