Tre të arrestuar, në kërkim Stresi. Policia s'do lejojë protesta të tjera për vrasjen e Klodit
Gjatë natës Policia e Shtetit ka vijuar me aksione për arrestimin dhe shoqërimin e pjesëmarrësve në protestën e pasdites së 9 dhjetorit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit".
Sipas policisë për grumbullimin e manifestimin e paligjshëm janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, janë proceduar në gjendje të lire 4, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas të tjerë.
Nga burime për Ora News mësohet se është shpallur në kërkim edhe këngëtari i njohur Stresi, i cili konsiderohet dhe dyshohet si organizator i protestës.
"Këta shtetas ditën e djeshme, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme kanë shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private.
Kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta,lëndë piroteknike duke lënduar 16 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë. Si dhe kanë thyer me gurë disa automjete të policisë. informoi sot policia.
Të arrestuar
Robert Poshnjari., 21 vjeç, banues në Tiranë, Altin Koçi, 29 vjeç, banues në Durrës dhe Vilson Kulemani., 23 vjeç, raporton Ora News.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit,” arrestuan në flagrancë, persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit" “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetesise publike” “ Shkaterrimit të pronës me zjarr” dhe” Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” shtetasit"
Arrestime dhe ne Durres
Krahas policisë së Tiranës dhe ajo e Durrësit ka proceduar penalisht dy të rinj pasi organizuan protestën për vrasjen e Klodian Rashës, i riu që u qëllua për vdekje nga efektivi i policisë mesnatën e së hënës.
Blutë e Durrësit njoftojnë se të rinjtë Artjon Bajramaj, 30 vjeç dhe Shyqyri Myrtollaro, 26 vjeç, u proceduan për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Këta dy persona, sipas policisë organizuan një grumbullim me rreth 40 persona, pa lejen e organeve kompetente
Në njoftimin e policisë thuhet se policia do të marrë masa të mos lejojë protesta të tilla.
"Njëkohësisht Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos bëhen pjesë e protestave të paligjshme, pasi do të marrë masa dhe nuk do lejojë të zhvillohen protesta të tilla, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit do të përballen me forcën e ligjit" mbyllet njoftimi i policisë.