Vrasja e 25-vjeçarit, Këlliçi: Si mundet kryeministri që rri gjithë ditë në Facebook të mos shkruajë një rresht?!

Pak orë pas protestës së djeshme në Tiranë dhe dy ditë pas vrasjes nga një efektiv policie i 25-vjeçarit Klodian Rasha, kreu i Forumit Rinor i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ishte i ftuar në “Ditë e Re” në RTV Ora.

Sipas Këlliçit, vetëm në Korenë e Veriut dhe në Shqipëri ka ndodhur që qeveria të vrasë një qytetar pse ka shkelur orën e karantinës, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama që deri më tani nuk ka shkruar një rresht për humbjen e të riut.

Belind Këlliçi: “Në 30 vjetorin e Lëvizjes Studentore vritet një i ri 25 vjeçar se ka shkelur orarin e karantinës. Mund të tingëllojë absurde por sot jemi vendi i dytë në botë pas Koresë së Veriut që qeveria ka ekzekutuar një qytetar pse ka shkelur karantinën.

Nga të gjithë të dhënat, nga dëshmitë e familjarëve, shokëve e miqve të Klodianit kemi të bëjmë me një djalë normal, krejt paqësor. Nuk ka patur asnjë precedent penal, asnjë herë nuk ka shfaqur akte dhune ose tendenca dhune dhe është goditur pas kufizimit të orës 10 të mbrëmjes me plumb pas koke.

Deklaratat e policisë kanë qenë kontradiktore. Kanë qenë tre deklarata të njëpasnjëshme që kanë rrëzuar njëra-tjetrën. Në fillim thuhet ky ka agresuar, është dëgjuar edhe një krismë arme. Ai ka patur dy hurma në dorë, i shkreti. Nuk e di si mund të quhen armë dy hurma. Pastaj është thënë është gjetur një pistoletë 100 metra larg. Ne jemi të rinj po i kemi lexuar. Metoda të Sigurimit të Shtetit. Pastaj është thënë që ky ka agresuar policin dhe ky është detyruar të vetëmbrohet. Po si mund të vetmbrohsh dhe të vrasësh agresorin me plumb pas shpine? Dhe si mund ta godasësh me plumb në kokë e në zemër?! I ati ka denoncuar se kufoma është dhunuar. Këto janë detaje që kanë të bëjnë me prokurorinë, jo me ne. Ato që kanë të bëjnë me ne dhe revolta më e madhe ka qenë, nuk po thotë njeri që Sandër Lleshaj apo Edi Rama ka dalë dhe ka vrarë të riun. Nuk do bëjmë politikë me këtë pjesë. Po si mundet kryeministri ka 6 ditë sot në Mahnatan, New York, nuk gjen kohë, që rri gjithë ditën në WhatsApp, rri gjithë ditën në Instagram, në Facebook, nuk gjen kohë të shkruajë një rresht për humbjen e jetës të një 25-vjeçari?! Si mundet ministri i brendshëm të mos reagojë publikisht, të shkojë të vizitojë[ familjen e të ndjerit e të mos japë dorëheqjen në këtë rast?Sepse kemi të bëjmë me një ministër që kur ka marrë detyrën ka thënë pas fytyrës së çdo polici qëndron fytyra ime, pas akteve të çdo polici qëndron fytyra ime”.