Kledi Kadiu në "Ditë e Re": Mirënjohje mësuesve të mi para suksesit ka një urë plot me pengesa
Mëngjesin e sotëm Kledi Kadiun e kemi zgjuar për një intervistë eksluzive për emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, në rubrikën "Special Edition By Arjola" me Arjola Shehun.
Për suksesin u ndihet mirënjohës mësuesve të Akademisë në Tiranë, sidomos profesorit Ilir Kerni dhe të gjithë atyre që e kanë përkrahur atë në rrugën e gjatë të jetës
Sot ai është një ndër profesorët balerinë më të njohur si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, mirëpo peripecitë që ka kaluar për të arritur këtu ku është sot nuk kanë qenë të lehta.
"Kur kthej kokën pas them si mundet që kanë kaluar 46 vjet. Unë tani nuk jam më performues por profesor." thotë ai.
Vitet 90 për të gjithë shqiptarët kanë qenë të mbushura plot vështirësi dhe Kledi si një i ri plot ëndrra, emocione vendosi që të largohej nga Shqipëria për në Itali aty ku dhe do të merrte një famë të madhe.
"Vitet 90 ishin pak ndryshe përsa i përket brezave të rinj. Normale që vështirësitë ishin shumë më të mëdha. Ishte një mentalitet jashtëzakonisht i kritikuar sa i përket shqiptarëve. Kjo është një fakt, unë e kujtoj shumë mirë kur bashkë me Ilir Shaqirin punomin në emisionin Buona Domenica. Bënim çmos që të mos thonim, mos ta kuptonim që ishim shqiptarë. Edhe pse punonim në një emision i cili ishte shumë i shikuar dhe i lakmuar, por gjëndja ishte shumë e vështirë" - tregon Kledi.
Ishte këmbëngulja ajo që të bën të ecësh përpara.
"Eksperienca, karakteri, personaliteti, puna dhe talenti. Unë e kam konsideruar gjithmonë hallkën e fundit fati. Nuk mund të lidhet suksesi vetëm me fatin. Fati të ndihmon por duhet të jesh edhe ti gati”
Kujton sakrificat: Larg prindërve, në moshë të re. Nuk e dije si ta përballoje jetën e një emigranti. Punime të ndryshme përveç zanatit. Më kujtohet se ndihmonim persona që kishin për të ndërtuar. Por këmbëngulja e pasioni bën të kapërcesh çdo gjë. Sot të duket sikur ke kaluar një urë me shumë pengesa të vogla por që është i bukur. Kur njeriu kalon një urë me mundime ka një mendim të ndryshëm sa i takon suksesit dhe jetës aktuale."
Përgatiti për online Françeska Kordalli.