Pasaktësitë në deklarimin e pasurisë nuk i prishin punë, konfirmohet në detyrë zyrtari i policisë, Pëllumb Seferi

Konfirmohet në detyrë Drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Pëllumb Seferi.

Zyrtari i policisë që mban gradën drejtues i Lartë u përball me verifikimin në tri kriteret, të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Trupa vlerësuese përbëhej nga Ana Kapaj kryesuese, Kozeta Ndoji relatore dhe Marjeta Gjelaj anëtare.

Në seancën e një dite më parë, Komisioni i Vlerësimit konstatoi probleme në deklarimin e pasurisë, në kuadër të vettingut.

Sipas komisionit, Pëllumb Seferi nuk vërteton dot burimin e ligjshëm të parave që ka marrë hua për të blerë dy banesa.

Për të vërtetuar pasaktësisë dhe mungesat e deklarimeve, Komisioni ndoqi një praktikë të re, duke i dhënë mundësinë Seferit të thërrasë dëshmitarë.

Katër dëshmitarë dhanë sqarime para Komisionit për burimin e parave që i kanë dhënë hua drejtorit të policisë për blerjen e shtëpisë, si dhe për kursimet e përfituara në bursa në Itali.

Për dy kriteret e tjera, Seferi rezultoi i pastër dhe me vlerësime në punën e tij të kryer përgjatë 22 viteve karrierë.

Drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare është zyrtari i 31 që përballet me procesin e rivlerësimit, pasi më herët janë konfirmuar në detyrë 22 drejtues policie, 4 kanë dhënë dorëheqjen dhe 4 të tjerë janë përjashtuar.