Bomba me telekomandë “për eksport”drejt Malit të Zi, kapen dy transportuesit
Dy persona u arrestuan në tentativë për trafikuar dy bomba me telekomandë të gatshme për përdorim drejt Malit të Zi. Në harkun e një muaji, janë goditur të paktën 4 raste të tentativës së trafikimit të armëve dhe municioneve, çka konfirmon se tregu i zi po lulëzon.
Ky është momenti i arrestimit të dy personave që po trafikonin dy bomba me telekomandë drejt Malit të ZI
Erol Çiçi 33-vjeç dhe Maringlen Gruda 30-vjeç që të dy banues në Durrës dhe të dënuar me parë, u kapën në Shëngjin, ndërsa ishin nën hetim prej gati një muaji.
Dy bomba ishin me mekanizëm shpërthimi në distancë nëpërmjet aparatit telefonik celular.
Njëra ishte me lëndë të dyshuar plasëse e llojit tritol dhe tjetra me lëndë të dyshuar si plasëse e llojit dinamit, të gatshme për përdorim.
Dyshimet e Policisë janë se të ndaluarit janë vetem transportues të bombave me telekomandë, ndaj hetimet tashmë janë përqëndruar në identifikimin e rrjetit të trafikut të lëndëve plasëse.
Operacioni konfirmon edhe një herë se tregu i zi i armëve dhe municioneve me të cilat kryesisht furnizohen grupet kriminale mbetet fenomen shqetësues.
Të paktën 9 rastë janë goditur gjatë vitit 2020 nga Policia e Shtetit, ku Vlora, Durrësi, Elbasani, e Shkodra rezultojnë qytetet më problematike ku edhe ngjarjet kriminale po ashtu kanë qënë të shumta.
Tre raste janë goditur në Durrës vetëm përgjatë nëntorit.
Më 30 nëntor u kapën 1 armë zjarri, 19.5 kallëpe tritol, 10 kapsolla detonatore, 20 granata ofensive dhe 20 ndezësa, ndërsa në pranga u vu 47 vjeçari Nazif Kolgjini.
Më 6 nëntor u sekuestrua 1 mitraloz, 1 kallashnikov, municion luftarak, 2 automjete, aparate celularë dhe një sasi lëndë narkotike, ndërsa u vunë në pranga dy persona me precedentë penalë.
Pak ditë më vonë u kap 1 armë zjarri automatik, 2 kallëp tritoli, 6 karikator dhe municion luftarak, ndërsa u arrestua një 33-vjeçar që tentoi ti shiste.
Përgjatë nëntorit janë shënuar tre vrasje dhe disa atentate me armë që kanë përfunduar me të plagosur në disa qytete të vendit.
Ndërsa sulmet me bombë kanë qenë të përqëndruara kryesisht në qytetin e Vlorës.