"Shtëpia e Verdhë", Çela: Është i pamundur transplanti i organeve, iu tregoj dy arsye pse
Doktor Sulejman Çela në një intervistë për Ora News ka folur në lidhje me akuzat ndaj figurave drejtuese të UÇK për transplant organesh dhe krim të organizuar, duke hedhur poshtë të gjitha këto akuza se ka ekzistuar Shtëpia e Verdhë.
Çela ka thënë se ky është një proces politik, teksa ka shtuar se ka dy hipoteza se përse një operacion i tillë ishte i pamundur, e para mungesa e infrastrukturës dhe kohës së transportimit të organeve dhe e dyta mungesa e një logjike në lidhje me këtë akuzë.
Çela: Ky është një proces politik. Lufta e UÇK, lufta për të mbrojtur familjen është e drejta e gjithkujt, ndaj askush nuk duhet ta gjykojë atë.
Sa i përket pjesës shkencore dhe mjekësore, janë dy hipoteza të miat që i hedhin poshtë këto gjëra. E para, fshati në Burrel në distancën deri në aeroportin e Rinasit, ku supozohet se janë transportuar, është aq e gjatë dhe në atë kohë që ishte pa autostradë, pa trafik do të duheshin 6-8 orë që të arrije. Kjo lidhet me faktet që organet kanë një jetëgjatësi. Zemra për shembull ka 4 orë, pas 4 orësh nuk e transplanton. Mëlçia 6 orë, veshkat 8-10 orë. Kështu që shkencërisht është e pamundur.
Duhet të kthehemi prapa dhe të referohemi te transplanti i organeve, i cili është kur njerëzit shesin apo blejnë organet. Është për të ardhur keq që një njeri është ndoshta i paguar nga agjentura të tjera. Nuk qëndron as në mënyrën logjistike.
Aeroporti i Rinasit është i monitoruar nga NATO, çdo fluturim kështu që gjithçka mund të vërtetohet. Më vjen keq që qeveria e Kosovës apo ajo shqiptare kurrë nuk ngriti një aktpadi për humbjen e respektit në publikun e gjerë që bëri Dick Martyn.
Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.