Ndryshimet zgjedhore, Abilekaj: Institucionet e së drejtës të jenë funksionale, në vend nuk ka kontroll
Analisti Enton Abilekaj në një intervistë për Ora News ka folur në lidhje me raportin e Komisionit të Venecias për ndryshimet e Kodit Zgjedhor në vend.
Abilekaj ka bërë thirrje që në vend të ndërtohet funksionimi i intitucioneve të së drejtës, si Gjykata Kushtetuese, teksa ka shtuar se mazhoranca me një pushtet absolut po kërkon të na çojë në zgjedhje pa asnjë garanci për votën e lirë.
Abilekaj: Ne kemi një mazhorancë absolute që kontrollon Parlamentin 100%, që kontrollon pushtetin lokal 100%, që kontrollon drejtësinë 100%. Nuk kemi asnjë instrument kontrolli sot, përveç institucionit të Presidentit, që në fakt nuk ka asgjë në dorë për të kontrolluar, ai vetëm mund të korrektojë. Presidenti mund të bëjë thirrje për korrektim, të kthejë ligje, të paralajmërojë për aktet, të denoncojë, por nuk mund të kthejë asnjë ligj përfundimisht.
Këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese që nuk ekziston. Jemi në kushtet që nuk ka asnjë kontroll, por vetëm pushtet absolut të një njeriu i cili në këto kushte mund ta ndryshojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe do të na çojë në zgjedhje pa asnjëlloj mbrojtje për votën e lirë.
Abilekaj ka vijuar më tej duke shtuar se zgjedhjet e lira nuk janë partiake, por është një e drejtë në interes të qytetarëve shqiptarë.
Abilekaj: As qytetarët që duan të votojnë, as opozita që pretendon pushtetin nuk kanë asnjë mbrojtje, janë të pambrojtur në zgjedhje. Është një situatë e paprecedentë që duhet të shmanget, por si?
Dialogu dështoi. Shikoni se si sillet Rama me komunitetin ndërkombëtar, ata i thanë mos i mirato ndryshimet dhe ai i miratoi. I thanë të ndërtojë Gjykatën Kushtetuese dhe ai nuk e ndërton. Pra ai është gati të largohet nga çdo orientim perëndimor që ka Shqipëria vetëm që të realizohet diçka më 25 prill dhe kjo duhet marrë seriozisht. Që të bëhen zgjedhje të lira në vend nuk është partiake, po është në interes të shqiptarëve.
Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.