Raporti i FMN/ Bozdo: Më i ashpëri i hartuar ndonjëherë. Borxhi publik e kalon dukshëm 90%
Gjatë intervistës së tij në RTV Ora, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Eno Bozdo, përveç raportit paraprak të Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, komentoi edhe raportin e para pak ditëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ekonominë shqiptare.
Sipas zyrtarit të selisë blu, ky raport është më i ashpëri i hartuar ndonjëherë nga FMN dhe në mungesë të plotë të gjuhës diplomatike.
Eno Bozdo: "Për mua, që kam të paktën një 10-vjeçar që lexoj raporte të hartuara në përfundim të periudhës së vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e karakterizoj si raportin më të ashpër dhe të themi në mungesë të plotë të një gjuhë diplomatike, të rrumbullakosur, e cila jo pak herë, veçanërisht në vitet e fundit, ka vënë në fokus problemet kryesore që kanë lidhje me ekonominë, me ekuilibrat makro-ekonomikë, me çështje që pengojnë vendin të zhvillohet, mungesën e reformave. Por gjuhë si kjo, personalisht, nuk e kam hasur asnjëherë.
Ajo që më godet më shumë, përveç çështjeve të përsëritura të PPP-ve, të risqeve që janë përpara ekonomisë, borxhit publik që ka arritur në 82%, pa llogaritur të gjitha koncesionet...
Beti Njuma: Po thonë se mund të arrijë në 88%...
Eno Bozdo: Besoj se janë treguar prapë të kujdesshëm pasi po të llogariten sipas asaj që kërkojnë Banka Botërore dhe FMN, e kalon dukshëm 90%. Por gjithësesi, ka një shprehje atje që realisht më bën përshtypje "e ardhmja e ekonomisë shqiptare është e paqartë dhe me risqe që do të tentojnë ta godasin atë. Kjo është një fjali që nuk gjendet kurrë e përmendur në asnjë nga raportet e ngjashme vjetore të FMN".
Lexo edhe:
Fondet për tërmetin/ FMN e pakënaqur me qeverinë: Goditjet ulen, shpenzimet e rindërtimit rriten