Ligji i Antishpifjes, Abilekaj: Nuk mund të zëvendësohet gjykata me AMA-n, skenari i Ramës i qartë

Analisti Enton Abilekaj në një intervistë për Ora News ka reaguar ashpër kundër Ligjit Antishpifje që cënon lirinë e fjalës së medias.

Abilekaj ka thënë se kryeministri Rama nuk mund të zgjedhë se cili lajm duhet të publikohet dhe cili jo, ndërkohë që ka mohuar kategorikisht zëvendësimin e gjykatës nga Autoriteti Audioviziv i Medias në këtë çështje.

Abilekaj: Ambienti mediatik në Shqipëri ka qenë shumë i unifikuar kundër ligjit antifshpifje që ka pasur kryeministri. Komisioni Venecias gjithashtu ka qenë kundër ku thuhet se nuk mund të miratohet ky draft, sepse nuk mund t'i japësh atributet e gjykatës një institucioni administrativ që varet nga kryeministri. Nuk mund të vendosë kryeministri se një lajm është i mirë apo i keq. Këtë e vendos gjykata. Ai nuk mund ta zëvendësojë gjykatën me AMA-n që e morën vetë.

I kam thënë të ndryshojë politikën e tij, jo vetëm në Komisionin Europian, por edhe në BE me të gjitha institucionet e tij dhe me vendet e BE. Pasi të gjithë i kërkojnë të njëjtën gjë, atëherë duhet të pyesim se kush ka të drejtë? Pse refuzon Edi Rama këtë gjë? Çfarë plani ka?

Përgjigja është e thjeshtë, që ky njeri do të mbyllë gojën e medias, do të mbyllë gojën e opozitës, e gjykatës, prokurorisë, do të kontrollojë edhe parlamentin përfundimisht, të marrë pushtetin dhe të qeverisë këtë vend duke shkallmuar çdo institucion demokratik, për ta kthyer vendin në diktaturë. Ky skenar është i qartë. Nuk mund dikush të vijë dhe të shpallë veten diktator, por diktatura vjen dalë ngadalë duke pushtuar të gjithë ambientin demokratik.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.