Vaksinat false, alarmi i INTERPOL: Grupet kriminale synojnë prishjen e zinxhirëve të furnizimit
Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, paralajmëroi të mërkurën se rrjetet e organizuara kriminale mund të synojnë shitjen e vaksinave false kundër koronavirusit.
Duke lëshuar një alarm global, Interpoli ju bëri thirrje autoriteteve të vendeve anëtare që të tregohen vigjilente ndaj rrjeteve të krimit të organizuar që synojnë të kontrollojnë apo prishin zinxhirin e shpërndarjes së vaksinave anti COVID-19, si fizikisht ashtu edhe në internet.
"Ndërsa qeveritë po përgatiten të shpërndajnë vaksinat, organizatat kriminale po planifikojnë të infiltrohen ose të prishin zinxhirët e furnizimit", tha Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Juergen Stock.
Të mërkurën, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë në botë që miratoi për përdorim vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë Pfizer dhe BioNTech.
Lexo edhe:
Britanikët, të parët në botë që marrin vaksinën kundër Covid nga java e ardhshme
Vaksina të tjera premtuese që gjithashtu mund të miratohen së shpejti janë ato të kompanisë Moderna, që përdor të njëjtën mënyrë zhvillimi si Pfizer dhe ofron mbrojtje të ngjashme. Edhe Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me firmën AstraZeneca ka zhvilluar një vaksinë.
Rusia ka prodhuar një vaksinë tjetër, të quajtur Sputnik dhe ushtria kineze ka miratuar për përdorim të ngushtë vaksinën e firmës CanSino Biologics.
Ndërsa pandemia e koronavirusit po intensifikohet në pjesën më të madhe të botës, vendet po përpiqen të sigurojnë furnizime të vaksinave dhe po përgatisin planet që do të ndërmarrin në javët e ardhshme. Shpresat janë të mëdha për dy vaksinat e firmave Moderna dhe BioNTech/Pfizer, që mund jenë gati për përdorim të gjerë në Bashkimin Europian dhe në Shtetet e Bashkuara.