Departamenti amerikan drejtësisë heton skemën "ryshfet për falje presidenciale"
Shtëpia e Bardhë dyshohet se mund të jetë pa dashur pjesë e një skeme të ryshfetit në këmbim të faljes presidenciale. Përfitues të saj kanë rrezikuar të jenë të dënuarit për krime të ndryshme federale.
Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton indiciet se zyra e presidentit mund të jetë përfshirë, pa dijeni, në skemën kriminale të ryshfetit në këmbim të faljes presidenciale.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gjykata, ryshfeti në këtë rast ofrohej për faljen e palëve të tjera të paidentifikuara aktualisht.
Provat tregojnë se të paktën dy individë lobuan në Shtëpinë e Bardhë me kërkesën për të falur nga dënimi klientin e tyre, por pa respektuar procedurat që parashikon ligji.
Sipas gjyqtares Beril Hauell, prokurorët federalë në Uashington disponojnë prova që personat do të ofronin një kontribut të konsiderueshëm fondesh politike në këmbim të faljes presidenciale.
Departamenti i Drejtësisë tha të martën se zyrtarët e qeverisë amerikane nuk janë objekt apo shënjestër e hetimit.
Si pjesë e investigimit, prokurorët në muajin gusht mësynë në zyra të ndryshme private dhe qeveritare duke konfiskuar më shumë se 50 aparate celulare, kompjuterë dhe disqe elektronike nga persona që pretendohet se zhvillonin skemën kriminale.
Kushtetuta amerikane u njeh presidentëve kompetencën për të falur individë të dënuar për krime federale.
Javën e kaluar, presidenti Donald Trump amnistoi ish-këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, Majkëll Flin, i dënuar për deklaratat e rreme për sa i përket hetimeve rreth ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.