Burg opozitës së Hong Kongut, dënohen tre aktivistë për një protestë të paautorizuar antiqeveritare
Ligji i ri i sigurisë kombëtare në Hong Kong po jep efektet e para të shtypjes së opozitës. Tre aktivistë pro demokracisë u dënuan për disa muaj burg për protestë të paligjshme. Organizata Amnesty International e konsideroi vendimin paralajmërim për ata që do të guxojnë në të ardhmen kritikojnë hapur qeverinë kineze.
Aktivistët opozitarë pro-demokracisë të Hong Kongut, Joshua Wong, Agnes Chow dhe Ivan Lam u dënuan me burgim në lidhje me akuzat për një protestë të ligjshme antiqeveritare vitin e kaluar. Kina ka forcuar kontrollin e saj mbi rajonin gjysmë-autonom të Hong Kongut pas disa mua protestash antiqeveritare vitin e kaluar, të cilat herë pas here sollën përplasje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë.
Aktivisti Joshua Wong, i cili u shpall fajtor për organizimin dhe pjesëmarrjen në protestë në qershor të vitit të kaluar, u dënua me 13 muaj e gjysmë burgim.
Agnes Chow, e cila gjithashtu u shpall fajtore për pjesëmarrjen në protestë dhe nxitjen e të tjerëve për të marrë pjesë, mori një dënim me 10 muaj burgim, ndërsa Ivan Lam u dënua me shtatë muaj pasi u deklarua fajtor për nxitjen e protestave.
Mijëra njerëz rrethuan selinë e policisë gjatë demonstratës së 21 qershorit 2019, kundër projektligjit të ekstradimit, tashmë të tërhequr nga qeveria lokale, që do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve për krime në territorin e pjesës kontinentale të Kinës.
Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International e dënoi vendimin dhe shtoi se autoritetet "po u dërgonin një paralajmërim të gjithë atyre që guxojnë të kritikojnë hapur qeverinë se mund të jenë të radhë për t’u dënuar".
"Këta aktivistë janë dënuar me burg për shkeljen e të drejtës së tyre të shprehjes së lirë dhe të tubimit," tha drejtorja i Amnesty International për rajonin e Azi Paqësorit Yamini Mishra.
"Dënimi i tyre duhet të anulohet menjëherë," tha Mishra.
Pekini miratoi në qershor një ligj gjithëpërfshirës të sigurisë kombëtare në Hong Kong, i cili konsiderohet si goditje ndaj autonomisë së rajonit dhe zërave që kërkojnë më shumë demokraci.
Të tre të dënuarit janë disa prej kritikëve më të njohur të qeverisë kineze. Hong Kongu ishte një koloni britanike deri në vitin 1997 kur u kthye nën kontrollin kinez.
Nën parimin "një vend, dy sisteme" territori supozohej të ruante më shumë të drejta dhe liri sesa pjesa tjetër e Kinës deri në vitin 2047.
Si një rajon i posaçëm administrativ, Hong Kongu ka sistemin e tij ligjor, parti të shumta politike dhe më shumë të drejta, duke përfshirë lirinë e tubimit dhe fjalën e lirë.