Kërkuan vetë të këndonin shqip, regjisori kosovar zbulon detaje nga projekti i grupit suedez
Grupi suedez “MadMan’s Choice” më 28 Nëntor kanë publikuar këngën "Xhamadani vija-vija" në versionin e tyre. Kjo këngë erdhi si një dhuratë për të gjithë shqiptarët në ditën më të veçantë për kombin tonë.
Ky version i kënduar nga ata nuk bën shumë dallim nga të gjitha versionet e tjera pasi shqipja me të cilën këndojnë këngën është perfekte.
Si bashkëpunëtorë për këtë produksion, grupi suedez ka zgjedhur për realizimin e videos regjisorin, Bujar Berisha.
I ftuar ditën e sotmë në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora Bujari tregon më shumë në lidhje me këtë bashkëpunim duke thënë se ka qenë vetë grupi ata të cilët kërkuan të këndonin një këngë shqip dy vite më parë të ftuar specialë në Hardh Fest.
Ky ka qenë momenti kur djemve të grupit, MadMan’s Choice i lindi dhe dashuria për shqiptarët dhe më pas vendosën që këngën e kënduar në festival ta sillnin dhe me video klip në një ditë të shënuar.
"Ka ndodhur spontanisht, prej një kohe unë po kërkoj nga institucionet dhe artistët që të krijojmë një urë mes artistave shqiptarë dhe artistave botërorë. Miku im që jeton në Suedi e njihte vokalistin e grupit dhe e kanë diskutuar bashkëpunimin.
Më pas kanë ardhur këtu dhe kemi filluar procesin. Ata kërkuan vetë që nëse ka ndonjë këngë që publiku kosovar e di që ta performonin në festivalin e Rahovecit. Ne si shaka e filluam "Xhamadani vija vija" se përdoret dhe këndohet shumë dhe ata më pas filluan ta ushtronin dhe një moment filloi këngëtari ta këndonte"
Sa i përket regjisë dhe realizimit të videon Bujari tregon në këtë videoklip janë detajet ato që bëjën diferencën dhe çdo gjë është realizuar aq thjesht por me një kuptim të madh.
"Janë disa detaje nëse publiku i shikon, kitaristi i grupit ka një kapuç të kuq dhe është i veshur me të zeza, gjë që përfaqëson Shqipërinë. Ndërsa, kitaristi kitaren e ka të kaltër me nëj pjesë të bardhë që përfaqëson Kosovën. Mbrapa shihet një hark që bashkohet dhe është një simbolike. Këngëtari këndon gjatë gjithë kohës duke vështruar lart ku janë disa vrima ku bie drita është simbolikë e Bashkimit Europian në video."
