Dita e Çlirimit: Përfaqësues të politikës homazhe dhe ceremoni nderimi në rrethe
Edhe këtë 29 nëntor të majtët e të djathtët u ndanë politikisht përsa i përket datës së çlirimit.
Në Vlorë, u mbajtën ceremoni nderimi tek Varrezat e Dëshmorëve, ku e pranishme sot ishte edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe një grup ish-deputetësh të LSI. Aktiviteti është zhvilluar në muzeun e dëshmorëve.
Deputetë e drejtues lokal në Lushnjë si dhe përfaqësues të shoqatave të veteranëve kanë kryer homazhe e kanë vendosur kurora me lule në monumentin që përjetëson luftën për çlirim kombëtar.
Nën masa të rrepta sigurie dhe duke respektuar distancën, drejtues të pushtetit vendor dhe policisë, kanë vendosur kurora e buqeta me lule në Lapidarin kushtuar Dëshmorëve të Atdheut në Berat.
Në Shkodër gjithashtu është kremtuar 29 nëntori, ndërsa në nderimet që janë bërë në varrezat e dëshmorëve nuk kanë munguar as simbolet komuniste.
Homazhe në varrezat e dëshmorëve, për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit janë bërë edhe në qytetin e Korçës.