Rrugëtimi 108-vjeçar i Shqipërisë, Gjeta: Politikanët tanë kanë vendosur interesat politike mbi ato kombëtare

Në një intervistë për gazetarin Sebastian Zonja në Ora News, politologu Altin Gjeta teksa komentoi rrugëtimin 108-vjeçar të shtetit shqiptar dhe dështimin për tu konsoliduar si shtet dhe faktor në rajon, është shprehur se ka një kopelks faktorësh që pengojnë anëtarësimin e vendit në familjen europiane, ndërsa shtoi se na mungon pjekuria politike.

Sipas tij, palët politike në Shqipëri kanë vendosur interesat personale para atyre kombëtare.

Altin Gjeta: "Është një kompleks faktorësh. Ne nuk mund të vendosim gishtin vetëm në njërin nga këta elementë. Se nga peshon pastaj pesha e fajeve, është një diskutim i gjatë. Vlen që të bëhet por unë do të mundohem shkurtimisht që të them atë që unë mendoj.

Gjykoj që ky kompleks faktorësh ka ndikuar në dobësimin e faktorit shqiptar në rajon.

Së pari, ne duhet të shikojmë te vetja jonë. Se ka një tendencë për të hedhur fajet te të tjerët, te ndërkombëtarët, te fuqitë e mëdha, të cilat sigurisht kanë rolin e tyre. Duhet të shikojmë ku kemi bërë gabimet tona. Lidershipi politik, në tërësi, gjatë gjithë këtyre fazave që ju lexuat, ka treguar papjekuri politike, ka vendosur luftën politike dhe interesat politike përpara interesave kombëtare. Pra, përçarja mes lidershipit politik shqiptar ka bërë që ne të kalojmë nëpër të gjitha ato faza të vështira të ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar dhe fitimit të Pavarësisë së Kosovës dhe me vështirësitë që po has në konsolidimin e shtetit shqiptar. Kanë vendosur interesat politike përballë interesave kombëtare.

Elementi i dytë, konteksti ndërkombëtar në të cilën janë vendosur ngjarjet".

Gjeta foli edhe për fakton shqiptar në rajon.

Altin Gjeta: “Lufta e brendshme politike i ka kushtuar jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës. Së pari, dhe ndoshta kjo i thotë të gjitha, shteti shqiptar dhe Kosova duhet të forcohen ekonomikisht, politikisht, të bëhen demokraci funksionale. Të shtrijnë ndikimin e tyre diplomatik në qendrat dhe kancelaritë kryesore në Europë dhe në botë në mënyrë që ata të mbrojnë më shumë interesat e shqiptarëve në të gjithë rajonin.

Mos harrojmë që, ne jemi ndoshta shteti i vetëm në botë që kufizohemi me bashkëkombas tanë. Një rast absurd por që tregon mangësitë dhe dështimet tona në ndërtimin e shtetit-komb”.