Goditen kartelet braziliane të kokainës, 45 persona të arrestuar, operacioni me 1 mijë forca policore

Policia europiane ka konkluduar me sukses një nga operacionet e veta më të mëdha kundër narkotrafikut.

Mbi 1 mijë forca policie me mbështetjen e Europolit kryen arrestimin e pjesëtarëve të një rrjeti të mirëorganizuar brazilian i cili transportonte nëpërmjet detit çdo vit rreth 45 tonë kokainë drejt Europës.

Vetëm në harkun e gjashtë muajve, kjo veprimtari u siguronte atyre deri 100 milionë euro fitime.

Aksioni i shtrirë nga Amerika Jugore në Lindjen e Mesme u udhëhoq nga agjencitë portugeze, belge dhe nga Brazili, ku u ndaluan plot 45 persona, 4 në Belgjikë, 1 në Spanjë dhe 2 në Dubai.

Policitë lokale mësohet se konfiskuan rreth 160 prona private me vlerë 20 milionë euro dhe 37 aeroplanë vetëm në Brazil, shtëpi dhe automjete luksoze në Spanjë dhe në Portugali, dhe vlera monetare në masën e afro 13 milionë eurove gjithsej të fshehura në çanta dhe valixhe.

Operacioni që mori hov në muajin prill rezultoi edhe në bllokimin e më shumë se 52 tonëve kokainë.

Informacioni për veprimtarinë e rrjetit kriminal brazilian u sigurua nga Europoli në bashkëpunim me partnerët europianë, ku grupi kishte krijuar bazat e veta.

Mësohet se kartelet e drogës të Brazilit kishin lidhje me simotrat e disa shteteve të Amerikës Jugore, nga ku përgatitej sasia e narkotikëve të fortë dhe pastaj kokaina lëvizej me kontejnerë anijesh në portet më të mëdha europiane.