Protesta të dhunshme në Ugandë, raportohen 45 viktima

Të paktën 45 persona kanë humbur jetën gjatë protestave të dhunshme që shpërthyen në Kampala dhe më tej në Ugandë javën që po lamë pas.

Protestat u aktivizuan pas arrestimit të këngëtari të muzikës popullore, njëkohësisht edhe kandidatit për zgjedhjet presidenciale, Bobi Wine nën akuzën se ka shkelur masat e Covid-19 gjatë një tubimi fushate.

Protestuesit janë përplasur me policinë dhe ushtrinë, të cilët iu përgjigjën me gaz lotsjellës.

Sakaq autoritetet kanë thënë se respektimi i masave është shumë i rëndësishëm për të ndaluar përhapjen e pandemisë, ndërkohë që mbështetësit e Wine e cilësojnë arrestimin e tij si një sulm politik.