Vrasja e shkenctarit bërthamor, Irani premton hakmarrje

Vrasja e kokës së programit bërthamor të Iranit Mohsen Fakhrizadeh ka shtuar tensioni në Lindjen e Mesme. Presidenti iranian, Hassan Rohani akuzoi Izraelin, që sipas tij ka vepruar si “mercenar” i Shteteve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm Iranian, Zarif i bëri thirrje BE-së ta dënojë “aktin e terrorizimit shtetëror”.

Irani fajësoi Izraelin për vrasjen e shkencëtarit kryesor të programit bërthamor dhe u zotua të mos e ngadalësojë pasurimin e uraniumit. Presidenti Hassan Rouhani tha se Irani do të hakmerret për vrasjen e shkencëtarit Mohsen Fakhrizadeh.

Fakhrizadeh u vra gjatë një atentati në periferi të kryeqytetit Tehran ku iu zu pritë.

Presidenti Iranian, Hassan Rohani tha se Izraeli ka vepruar si “mercenar” për Shtetet e Bashkuara.

“Edhe një herë, duart e liga të arrogancës globale, me regjimin uzurpator zionist si mercenar, u njollosën me gjakun e një djali të këtij kombi”, tha Rohani në faqen e tij zyrtare.

Udhëheqësi i agjencisë bërthamore të Iranit, Ali-Akbar Salehi, është zotuar që vrasja e Fakhrizadehit nuk do të dëmtojë programin bërthamor të vendit.

Vrasja ka ndodhur kur një kamion me pajisje ndezëse ka shpërthyer afër veturës që ka transportonet Fakhrizadeh-un në qytetin Absard, afër Teheranit.

Kur vetura u ndal, të paktën pesë vetë të armatosur e qëlluan me armë zjarri.

Ministri i Jashtëm Iranian, Mohammad Javad Zarif pretendoi se “ka prova të përfshirjes së Izraelit” në vrasje. Ai i bëri thirrje Bashkimit Europian “që t’iu japë fund standardeve të turpshme të dyfishta dhe të dënojë këtë akt të terrorizimit shtetëror”.

Nga Izraeli, Pentagoni, Shtëpia e Bardhë apo Departamenti i Shtetit, nuk ka asnjë reagim, ashtu nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA).

E përditshmja amerikane, The New York Times, duke cituar një zyrtar amerikan dhe dy zyrtarë të zbulimit, tha se Izraeli qëndron mbrapa atentatit ndaj shkencëtarit, ndonëse nuk është bërë e qartë nëse SHBA-ja ka pasur njohuri për këtë operacion.