Navalny: BE të sanksionojë oligarkët rusë

Oligarkët rusë janë një grusht kriminelësh që mbajnë përkohësisht pushtetin, i tha Parlamentit Europian politikani opozitar, Aleksei Navalny. Ai i kërkoi Brukselit që të sanksionojë oligarkët dhe ngrijë paratë e tyre. Duke u treguar më radikal, Navalny kërkoi mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, i bëri thirrje Bashkimit Europian që të ‘sanksionojë kriminelët’ që rrethojnë presidentin rus Vladimit Putin. Gjatë një video-konference me eurodeputetët, kritiku i Kremlinit tha se oligarkët rusë ‘e kanë kapur përkohësisht pushtetin’ dhe blloku 27 anëtarësh, duhet të zhvillojnë një strategji të re për marrëdhëniet me Moskën.

"Shteti rus duhet të trajtohet si një grup kriminelësh që përkohësisht mban pushtetin, mbase duhet një masë radikale nga këndvështrimi im, por mendoj se ky është përcaktimi më i mirë se kush janë ta: një grup kriminelësh që mbajnë pushtetin."

Në mënyrë të veçantë, Navalny i bëri thirrje BE-së që të vëzhgojë pasuritë e miliarderëve rusë si Roman Abramovich, Alisher Usmanov dhe Arkady Rotenberg, që sipas tij, kanë lidhje të ngushta me Kremlinin.

Muajin e kaluar, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe vendosën të ngrijnë asetet dhe ndaluan udhëtimin e gjashtë zyrtarëve të lartë ruse, për “vrasjen e mbetur në tentative” të 44-vjeçarit Navalny, që ndodhi gjatë muajit gusht.

"Bashkimi Europian duhet të shënjestrojë paratë dhe oligarkët rusë, jo vetë të vjetrit, por edhe të rinjtë që përbëjnë rrethin e ngushtë të presidentit Putin. Ata duhet të jenë fokusi i sanksioneve," tha Navalny.

Kritiku i madh i Putinit dhe një aktivist kundër korrupsionit, fajësoi presidentin rus për helmimin e tij me agjentin novichok. Ai doli nga një spital i Berlinit më 22 shtator, pasi u trajtua për 32 ditë.

Përveç sanksioneve kundër oligarkëve rusë, Navalny ka kërkuar nga BE-ja që të mos njohë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 në Rusi, nëse kundërshtarëve politikë të Putinit u ndalohet kandidimi.