Racizmi në Francë, dhunohet producenti me ngjyrë pasi nuk po mbante maskë

Publiku dhe politika franceze janë sensibilizuar kundër një tjetër rasti të dhunës policore, në dukje për motive racizmi.

Pamjet e dhunimit të producentit muzikor, Michel, brenda studios së tij fundjavën e kaluar u publikuan të enjten dhe bënë xhiron e rrjetit francez duke tronditur autoritetet më të larta.

Pak minuta para ngjarjes muzikanti ishte ndeshur në rrugë me tre oficerët e policisë me arsyen se pse nuk po e mbante maskën në kushtet e pandemisë së kovidit-19.

"U futa brenda dhe kur hapa derën, pashë i frikësuar një civil dhe polic më uniformë. Provova të telefonoja avokatin por njëri më drejtoi armën. Kisha frikë se mos më qëllonin. Zhurmat alarmuan edhe komshinjtë që donin të merrnin policinë, por policia fatkeqësisht ishte aty me mua," deklaroi producenti i ri, duke shtuar se ai ishte ofenduar për shkak të ngjyrës së lëkurës.

Tre oficerët që ushtruan dhunën u liruan nga detyra pas zbulimit të pamjeve filmike, ndërkohë që i dhunuari qëndroi 48 orë në paraburgim me dyshimin se i kishte goditur ai agresorët e tij.

"Klienti im pati fat që kishte videot për t'i denoncuar këto akte, që sigurisht mund të jenë të izoluara por ekzistojnë. Po të mos i kishim ato, do të ishte ende nën arrest, sepse do ishte fjala e tij kundër oficerëve të policisë, dhe e dimë shumë mirë kush do të mbante më shumë peshë."

Ministri i brendshëm francez tha se policët francezë kishin njollosur uniformën e republikës, ndërsa zyra e presidentit Emanuel Makron u shpreh e shokuar nga imazhet e dhunës dhe i bëri thirrje autoriteteve t'i ndëshkojnë ashpër autorët.

Në mbështetje të producentit Mishel dolën edhe figura të njohura me ngjyrë të sportit e kulturës.

Policia franceze është akuzuar prej kohësh për racizëm ndaj komunitetit me ngjyrë dhe atij arab në Francë, dhe për përdorimin e tepruar të dhunës për çmontimin e kampeve të refugjatëve.

Të shtunën në Paris pritet të mbahet një protestë për një nismë të fundit të parlamentit që dënon publikimin e fotove apo videove me fytyrë të policëve.