Sekuestrohen leje ndërtimi/ Prokuroria e Lezhës vijon hetimet edhe një vit pas tërmetit

Prokuroria e Lezhës vijon hetimet për pallatet që pësuan dëmtime nga tërmeti i 26-nëntorit 2019.

Sipas burimeve për Ora News, pas administrimit të provave, organi i akuzës ka sekuestruar lejet e ndërtimit të pallateve të reja ku pati dëmtime serioze, të cilat po verifikohen.

Gjithashtu në hetim janë edhe 14 pallate të ndërtuara para viteve 90 që u bënë të pabanueshme nga lëkundjet e forta sizmike.

Në këto objekte rezulton se ka patur ndërhyrje në katet e para apo dhe shtesa të ndryshme, çka ka dyshime se kanë dobësuar strukturën e godinave.

Proçesi i shembjes së tyre ka nisur këtë të enjte dhe prokuroria po merr mostra të ndërtimit për ti dërguar për ekspertizë të specializuar.

Në të njëjtën kohë po verifikohen edhe lejet e dhëna për ndërhyrjet dhe shtesat që janë bërë në këto objekte, raporton Ora News.

Hetimet po kryhen ngë drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës Milan Laska dhe proçedimi penal është regjistruar që në muajin janar, për veprat penale “Ndërtimi pa leje” ,“Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”, si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.Nga tërmeti i 1 viti më parë në Lezhë u bënë të pabanueshem 14 pallate, ndërsa shumë të tjere pësuan dëmtime.