Një vit pas tërmetit: Rama në Abu Dabi, firmos "financimin e 2000 apartamenteve në Durrës
Në përvjetorin e tërmetit të 26 nëntorit kryeministri Edi Rama njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes në Abu Babi për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në zonën e prekur nga fatkeqësia në Durrës.
Në një video-mesazh të shpërndarë nga zyra e shtypit kryeministri ka kërkuar durim nga qytetarët dhe familjet e prekura duke theksuar se procesi i rindërtimit po ecën por kërkon më shumë kohë.
Tirane- Nga Abu Dabi në Emiratet e Bashkuara Arabe ku ndodhet për vizitë zyrtare kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin për firmosjen e marrëveshjes ndërqeveritare për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në Durrës
Përmes një videomesazhi Rama zbulon se do të firmoset marrëveshja ndërqeveritare për ndërtimin e 2000 apartamenteve të reja në Durrës.
"Kryeministri Rama në Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara ku firmosim sot marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve të reja në Durrës, si edhe marrëveshjen ndërqeveritare për një program investimesh e përfshirjeje të kompanive më të mëdha emiratase.
Nisim së shpejti me investimin e madh për transformimin e portit të Durrësit, në një nga portet më të bukur e më të mëdhenj turistikë të Mesdheut"
Ndërsa mëngjesin e nisi me një videomesazh drejtuar shqiptarëve i shpërndarë nga zyra e shtypit ne facebook.
“Më e keqja është pas krahëve më e mira është e gjitha përpara nesh”, shprehet kryeministri në mesazh.
Një vit pas tërmetit tragjik që 26 nëntorit 2019, i cili la pas 51 viktima dhe dhjetëra banesa të shkatërruara, kryeministri Edi Rama kërkoi më shumë kohë dhe durim për rikuperimin e pasojave ndërsa shprehu pikëllim për jetët që nuk mund të kthehen.
“Njerëzit ankohen, shpesh me të drejtë. Sa shumë ka akoma për të bërë në çdo fushë, në çdo aspekt. Unë vetë nuk kënaqem, nuk kënaqem kurrë nga puna ime, s’kam se si. Shqipërinë e gjetëm tamam si ato pallatet që nuk ranë, por mezi mbajnë. Por në këtë punë kam mësuar durimin. Duhet shumë durim. Punët e mira duan kohën e tyre dhe për t’i bërë mirë duhet shumë durim. Bota shumë e shumë kohë më parë i ka ngritur ato që ne shohim sot.
Ne kemi nevojë për kohë që t’i kryejmë punët në të katër anët njësoj si me rindërtimin. Edhe me ekonominë edhe me shëndetësinë, arsimin edhe me infrastrukturën me gjithçka. Që të ndërtojmë shtetin që meritojnë fëmijët tanë. Na duhet vetëm kohë dhe punë e durim. Sepse përkushtimi i madh nuk na mungon. Kjo mbase është pak por kjo është shumë e sigurtë".
Rama foli edhe për momentet e para të përballjes me pasojat e tërmetit
Kreu i qeverisë ndau me qytetarët edhe njwsinë e frikës dhe vetmisë që kishte përjetuar në çastet e para por më pas edhe shpresën që i ngjalli ardhja në ndihmë e forcave nga Kosova, Greqia dhe Italia.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të kryeministrit përbëhej nga ajo që Rama e cilësoi sukses në konferencën e donatorëve në Bruksel ku u mblodhën fonde për rindërtimin.
Kryeministri theksoi se një vit pas tërmetit disa shkolla janë rindërtuar, familjet e para kanë hyrë në banesat e reja ndërkohë vazhdojnë punimet për shtëpi të tjera të dëmtuara dhe për rikontruksionin e lagjeve dhe pallateve të shkatërruara.
“I pa harruar kujtimi i viktimave të një viti më parë”, mbyll mesazhin kreu i qeverisë.
Mëngjesin e 26 Nëntorit, rreth orës 03:45, qendra e vendit u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.4 ballë i shkallës rihter, i pasuar edhe nga lëkundje të tjera sizmike.
Zonat më të goditura ishin Durrësi dhe Thumana, ndërsa dëme pati edhe në Tiranë, Fushë Krujë dhe Laç.