26 Nëntor 2019- 26 Nëntor 2020, ju tregojmë Durrësin një vit pas tërmetit

Tempora rikthehet një vit më pas në Durrës, pikërisht në zonat që shkaktuan drama njerëzore.

Mëngjesin e 26 nëntorit 2019, Shqipëria u trondit nga tërmeti më i fortë në 40 vite me magnitudë 6.4.

Me epiqendër në afërsi të Durrësit lëkundjet u ndien në mbarë vendin. Pasojat ishin të rënda, dhjetëra jetë njerëzore të këputura në mes, mijëra qytetarë të plagosur, pallate shumëkatëshe të rrëzuara, shtëpi të shkatërruara.

Gazetarja e Tempora Marjana Legisi ndaloi në disa prej zonave ku pati humbje jete, çfarë po ndodh në këto territore?

Ende inerte, një palë këpuce, një këmishë, apo xhaketë, janë të gjitha këto shenja që mbeten te pallati 6-katësh i cili i mori jetën 7 personave, 26 nëntorin e vitit të shkuar.

Asgjë ska ndryshuar edhe sot pas 12 muajsh në këtë hapësirë. Ende në këtë truall ka shenja të forta që tregojnë dramën e madhe që përjetuan banorët e pallatit 6 katësh.

Tek pallati 6-katësh kane mbetur pas shumë kujtime. Edhe kjo kasetë, ku ndoshta do kenë patur gëzimet e tyre por që i lanë në rrënojat e pallatit që u shemb në mëngjesin e 26 nëntorit.



Tempora tentoi të sjellë dëshmi të familjarëve që humbën të afërmit e tyre në tragjedinë e 26 nëntorit. Refuzuan të gjithë nuk duan ti rikthehen tragjedisë së familjeve të ture, edhe ata të cilët sot përballen me drejtësinë.
Në hotel Vila Palma një vit më parë u shënuan viktima, sot situata është e tillë. Një ambient i rrethuar ndërsa ndërtuesit e saj po përballen ende me drejtësinë.

Gazetarja u ndal në Ish Kënetë, aty ky familja Lala përjetoi dramë.

Shtatë nga tetë anëtarët e familjes Lala humbën jetën tragjikisht mëngjesin e 26 nëntorit të vitit të kaluar. Ky është trualli i shtëpisë që ata kishin ndërtuar. Sot gjithçka ka mbetur pas janë rrënojat.

Dëshmia e tragjedisë së 26 nëntorit të vitit të kaluar është dhe kjo hapësirë këtu. Ish hoteli Miramare ku gjetën vdekjen dy persona. Sot një vit më pas asgjë nuk ka ndryshuar.

Kjo duket pamje normale në qytetin e Durrësit. Pallatet shumëkatëshe, të shkatërruara, me mure të rëna sot por rikonstruktohen. Ka dhe nga ato pallate ku qytetarët kanë vendosur që të jetojnë aty, edhe pse në katet poshtë muret janë totalisht të shembura.

Nuk keni frikë që rrini aty?

Banorja: Unë ta thashë një fjalë më përpara, më mirë vdekur sesa gjallë. Sepse është situata shumë e vështirë.

Ajo që konstaton me sy të lirë janë tabelat për shitje të apartamenteve.
Marjana Legisi: Apartamente të shumtë janë vënë në shitje edhe pse në fakt në këtë pallat 5-katësh muret janë të plasaritura madje dhe tullat kanë rënë.
Drama duket e freskët ende sot te banorët e Durrësit.

Banorja: Rrimë nga e keqja, sepse të thashë ai djali im ka shtatë veta këtu për të ushqyer edhe të vesh te rafti im nuk gjen asnjë lekë, nuk ka as punë asgjë. Ne nuk kemi ku te shkojmë. Te pallati im të vjen frikë të hysh brenda. As punë asgjë nuk na kanë dhenë.

Ky është Durrësi sot, një vit pas tërmetit të 26 nëntorit.