Numri i mësuesve të infektuar në Korçë dy herë më i lartë se në Tetovë, kimisti zbulon arsyen

Kimisti Egzon Ademi, në një lidhje direkte nga Maqedonia për emisionin 'Ditë e Re' në RTV Ora ka folur për situatën e COVID-19 për sistemin arsimor në vendin tonë krahasuar dhe me Maqedoninë. Ai bëri apel se mësimi duhet të jetë online pasi mësimi fizik reflekton menjëherë në numrin e infektimeve.

"Në Maqedoni nuk ka nisur mësim fizik nga dita e parë dhe kjo reflektohet menjëherë në numër. Unë kam bërë apel që në raste pandemie pavarësisht me shumë apo pak raste mësimi duhet të jetë online. Sipas një studimi të fundit, thuhet  që 48% e fëmijëve kanë mbrojtje paraprake por 52% nuk e kanë. Dhe është diçka që fëmijët deri në moshën 15 vjeç lëvizin më shumë se moshat e tjera. Që do të thotë më shumë lëvizje dhe më pak distancë , më shumë përhapet virusi."- tha ai.

Ademi tha se mësuesit janë më të rrezikuarit duke bërë dhe një krahasim të Tetovës  dhe Korçës ku numri i mësuesve të infektuar është shumë herë më i lartë ndërkohë që në Tetor popullsia në gjithë rajonin është dy herë më e madhe.

"Në arsim kur flitet për mësim fizik e para duhet menduar për mësuesit sepse janë më shumë të rrezikuar për shkak të moshës dhe sëmundjeve kronike. Po marr një shembull, qyteti i Korçës me Tetovën janë përafërsisht  me  numrin e banorëve të njëjtë. Zona urbane e Tetovës ka rreth 80 mijë banorë, Korça ka diku 77 mijë banorë. Po të marrim rajonin se ne nuk kemi bashki janë rreth 220 mijë banorë. Komplet rajoni i Tetovës ka të sëmurë mësues rreth 40 me Covid,  Korça ka rreth 100 mësues të infektuar. E njëjta popullatë plus zonën e periferisë së Tetovës që është dy herë më e madhe ka 40."- tha ndër të tjera Ademi.