Dilema e Dukës për Patozin e Topallin: Nuk po e gjejmë dot, i përzuri Basha apo ikën vetë
Garimi në zgjedhje i partive të reja, të dala nga Partia Demokratike, si ajo e zotit Patozi, Topallit dhe zonjës Hajdari ka shtuar zërat se mund të dëmtojnë opozitën duke marrë votat prej saj.
Por kreu i PAA, Agron Duka, përtej çdo konspiracioni, thotë se e vetmja gjë që këto parti mund të bëjnë është të nxjerrin për të votuar ata njerëz që nuk dolën në zgjedhjet e 2017.
I ftuar në Ora News, Duka dilemë të madhe ka nëse ata ikën vetë nga PD apo i përzuri Basha.
Por cilido qoftë rrugëtimi i tyre në 25 prill, ai shprehet i sigurt se ata nuk do të bashkojnë votat me mazhorancën dhe Edi Ramën në finale.
Duka: Nuk dua të gjykoj këto dy emra, kam respekt. Kanë pasur ndarje nga PD për arsye të ndryshme, ose edhe personale. Nuk e di ku është faji i njërit dhe ky fillon i tjetrit. Në mënyrë të vazhdueshme nga aleatët dhe vetë brenda strukturave të PD është bërë thirrje e vazhdueshme që të gjithë këta të bashkohen për tu bërë më të fortë për të fituar ndaj Ramës. Nuk e gjejmë dot nëse i ka përzënë Basha apo kanë ikur vetë. Edhe në mënyrë formale u ka bërë ftesa, ata nuk kanë dashur, është punë e tyre. Sa ndikojnë pozitivisht apo negativisht? Nuk është e thënë që ata marrin votat e PD, mund të marrin dhe votat e veta. Në 2017 ka pasur shumë njerëz që nuk kanë dalë në votime. Ndoshta këto parti mund ti aktivizojnë këta njerëz dhe ti marrin këto vota. Jam i sigurt se asnjë nga këta, si Topalli, Patozi apo të tjerët, nuk besoj se mund të bashkojnë votat e tyre me mazhorancën dhe me Ramën.
Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana