BOOM: Ujërat e shiut i rrezikojnë banesën, pritet studimi gjeologo-inxhinierik për të ndërhyrë
Familja e Bexhet Limani ankohet në redaksinë Boom pasi prej një viti po u dëmtohet shtëpia.
Sipas tyre ujerat e shiut nga Drejtoria e Burgjeve u vijnë në oborrin e shtëpisë, duke krijuar gërryerje , madje u është shkatërruar një pjesë e murit rrethues dhe porta e shtëpisë u është dëmtuar.
E zonja e shtëpisë thotë se kur bie shi, nuk mund të dalin do të nga shtëpia pasi te porta grumbullohet uji.
Ajo kërkon ndihmën e Boom për të zgjidhur hallin që kanë prej një viti.
Po çfarë ndodh në shtëpinë e familjes Limani kur bie shi?
Familja Limani: Ujërat e shiut vijnë furishëm dhe përfundojnë në portën e shtëpisë. Qysh kur është bërë ndërtesa unë kam pasur probleme me ujin. Këtu nuk dilet kur bie shi.
Familja fillimisht ka bërë një kërkesë në njësinë administrative nr 4, kjo më pas ka vënë në dijeni drejtoritë përkatëse në Bashkinë Tiranë për zgjidhjen e problemit.
Fillimisht Bexhet Limani i ka dërguar një kërkesë ankese njësisë administrative nr. 4 për problemin e ujërave që iI përmbytin shtëpinë.
Kjo njësi ka njoftuar më pas drejtorinë e përgjithshme të rrugëve dhe ndriçimit publik për problemin.
Ky institucion në një kthim përgjigje drejtuar njësisë nr. 4 shprehej se pas verifikimeve në terren, rezulton se "kemi të bëjmë me një problematikë jashtë trupit të rrugës "Zef Serembe" me konkretisht në pronësi të z Behxhet Limani pjesë në të cilën nuk ka rrjet të zgarave shimbledhëse që administrohet nga kjo drejtori, pasi Drejtoria e përgjithshme e rrugëve dhe ndriçimit publik administron vetëm rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut në hapësira publike, rrugë trotuare."
Drejtoria e emergjencave civile i kërkoi një verifikim njësisë administrative nr. 4 të bëjë verifikim e situatës në vend dhe të hartohet dokumentacioni i plotë tekniko ligjor për dëmet e shkaktuara nga përmbytja.
Më 29.6.2020 Njësia administrative nr. 4 bën me dije se "u krye verifikimi në vend nga ana e specialisteve ku u konstatua se reshjet e dendura ujërat e shiut të pasistemuara përfundojnë në oborrin e familjes Limani duke rrezikuar themelet e banesës për shkak të pranisë së ujërave pranë bazamentit. Kërkohet një studim gjeologjik për vlerësimin e situatës terrenit dhe nevojës për ndërhyrje në këtë pjesë të territorit."
Boom shkoi në Drejtorinë e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Tiranë ku mësoi se kjo drejtori I ka bërë një kërkesë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile pranë Ministrisë të Mbrojtjes për një studim gjeologjik në mënyrë që të ndërhyjë në teren.
Kjo kërkesë është bërë që në qershor të këtij viti. Pa këtë studim, nuk mund të ndërhyhet për të zgjidhur problemin.
Boom interesohet pranë Ministrisë së Mbrojtjes se çfarë është bërë me studimin gjeologjik i cili do të jepte fund problemit të familjes Limani
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile me datë 16.11.2020 bazuar Ligjit 45/2019 "Për Mbrojtjen Civile" ka dërguar kërkesë për angazhimin e eksperteve nga SHGJSH për kryerjen e studimit gjeologo-inxhinierik referuar kërkesës së Drejtorisë së Emergjencave Civile pranë Bashkisë Tiranë.
Në vazhdim SHGJSH do të shqyrtojë rastin në fjalë dhe do të marr masat referuar kompetencave Institucionale sipas Ligjit.