Artizanja i ankohet Bashës: Me tre pagat e luftës pagova sigurimet, qeverinë e bashkinë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me përfaqësues nga bizneset e artizanatit në Shkodër ku ka dëgjuar shqetësimet dhe problematikat e hasura nga ata për shkak të pandemisë.

Stela Toska, Koordinatore e shoqatës më të madhe të artizanatit në Shkodër, u shpreh se e gjithë ndihma që u dha gjatë pandemisë për biznesin, u kthye mbrapsht për shtetin brenda 24 orëve. Ajo tha se propozimi që Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi për heqjen e taksës së bashkisë nuk ishte pranuar nga Këshilli  Bashkiak

Stela Toska: Në momentin që jam regjistruar si biznes kam menduar se do ketë lehtësi, por nuk ka asnjë lehtësi në fakt. Ka punonjës që nuk janë siguruar  sepse ka kosto, janë gjithë ato artizanë që nuk marrin asnjë mbështetje. Për pandeminë kemi pasur probleme. Unë kam marrë tre rroga, pagën minimale por të treja i kam dhënë mbrapsht për shtetin brenda 24 orëve. Rrogën e parë pagova sigurimet, rrogën e dyte Bashkinë që faktikisht znj.Voltana e bëri kërkesën që të hiqej ajo pagesë që të kishim dhe një farë ndihme por nuk u miratua nga Këshilli Bashkiak. Dhe paga tjetër erdhi fill 3-mujorshi tjetër dhe këtë e kalove dhe nuk e di ku ishte ndihmesa shtesë për këto paga. Shumica e artizanëve janë në Shkodër unë mendoj se ka nevojë për një ekspozitë, dyqan ku ne të çojmë punime.  Janë rreth 80 sipërmarrës që punojnë me artizanat por jo të gjithë janë regjistruar si biznes, punojnë nga shtëpia.

Lideri demokrat u shprehu keqaardhjen që anëtarët e Këshillit Bashkiak nuk e pranuan kërkesën për heqjen e taksës. Ai tha se arsyeja e vetme ka qenë se e kanë pasur të vështirë sepse shembulli që do të jepte bashkia e Shkodrës do të ishte i vështirë për të mos u ndjekur nga bashkitë e tjera.

Lulzim Basha: Dua të falënderoj kryetaren e bashkisë për propozimin që të hiqen taksat për shkak të pandemisë. Shpreh keqardhjen që njerëzit që okupojnë ulëset në Këshillin Bashkiak nuk kanë marrë përgjegjësi para qytetarëve për ta aprovuar këtë akt të kryebashkiakes. Sot ka dalë një studim, ku tregon se 4900 biznese janë mbyllur, dhe Shkodra është ndër vendet më të goditura, ku numri i bizneseve të mbyllura është më i larti.  Sa i përket  ekonomisë së familjeve dhe  bizneseve në Shkodër, shpresoja dhe bëra thirrje që të tejkaloheshin ndasitë politike. Unë e di se ata kanë pasur presion. Arsyeja e vetme ka qenë se e di që e kanë pasur të vështirë sepse shembulli që do të jepte bashkia e Shkodrës do të ishte i vështirë për të mos u ndjekur nga bashkitë e tjera pastaj.

Basha tha se situata me bizneset është në këtë pikë për shkak të neglizhencës dhe braktisjes që u është bërë nga qeveria

Lulzim Basha: Falimentimi masiv i bizneseve është një nga pasojat e neglizhencës dhe braktisjes së sipërmarrjes shqiptare nga qeveria. Situata ndodhet në këtë pikë për shkak të braktisjes që i është bërë Shkodrës nga qeveria. Dje kemi pasur një regjistrimin e një numri rekord vdekjesh. Numri për fat të keq që fshihet nga Rama është dhe më i lart. Gjendje e spitaleve është në kolaps dhe përveç propagandës dhe atyre që tregojnë të vërtetën janë e vetmja përgjigje. Të gjithë duhet të mbajmë përgjegjësitë tona, një nga përgjegjësitë është të mbajmë maskën, të mbajmë distancën siç po bëjmë sot këtu. Ti bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm sepse numri i infeksioneve po rritet në mënyrë galopante. E në veçanti kur qeveria është e paaftë dhe jo e gatshme të japë përgjigje duhet të kemi një përmasë edhe më të madhe kujdesi për njëri-tjetrin. Por po kështu dhe qeveria duhet të bëjë detyrën e vetë. Qeveria ka dështuar në mënyrë spektakolare.

Kreu i PD tha se i qëndron propozimit të bërë në mars për ndihmën që duhet t'i jepet biznesit të vogël

Lulzim Basha: I qëndroj dhe një herë propozimit që bëmë në mars, sipërmarrja dhe biznesi i vogël ,duhet të ketë të paktën të njëjtën ndihmë që ka biznesi në  Kosovë  dhe Maqedoninë  e Veriut. Kjo gjendje është produkt i një krize të tejzgjatur. Pandemia vetëm e ka nxjerrë zbuluar këtë krizë.