"Thuaj Ramës, ishin dy pleq shko shikoji si jetonin" Tempora në Manzë një vit pas tërmetit
Emisioni "Tempora" ka qenë në një nga shtëpitë private të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar në fshatin Manzë në qytetin e Durrësit.
Një ish mësues dhe një ndihmës mami janë çifti i dy të moshuarve në Manzë të Durrësit.
Një jetë duke pritur jetë, një jetë duke dhënë dije për fëmijët dhe sot ky çift pensionistësh jeton në këto kushte.
Ata tregojnë se prej një viti jetojnë në çadër të vetëm, pa asnjë ndihmë, pa asnjë përgjigje nga instancat shtetërore
Burri: Si përfundim këtu kemi ndenjur në këtë çadër, që e sjell erën të gjithë brenda. Asnjë lloj shprese nuk kemi, derisa po mbushet viti pa bërë asgjë, ça shprese të kemi?
Në shtëpinë e shkatërruar të çiftit, zonja kujton tmerrin qe ka përjetuar një vit më parë.
Gruaja: Këtu kemi pasur krevatin, më ka tërhequr burri për dore, unë i thosha mos më lëviz më lër këtu.
Shtëpia e shkatërruar është ende në këmbë, edhe pse premtimet kanë qenë të vazhdueshme nga kryeministri Rama që banesat private do të ndërtoheshin brenda vitit.
Edi Rama do deklaronte ne dhjetor 2019: Brenda mesit të vitit të ardhshëm ne do t'i kemi sistemuar shumicën dërrmuese me shtëpitë e reja.
Gruaja: Ashtu është premtuar po çfarë kemi në këtu? Kryeministri Rama për një gjë e bën, për të marrë mendjen thotë populli vetë, për mua këto janë fallco.
Ata shprehen se ka diferencime edhe në përzgjedhjen e qytetarëve që do t'ju ndërtohet banesat.
Burri: Pse bëhen diferencime, pse bëhet ky dallim, ata njerëz dhe ne njerëz. Për mua duhet të ketë diference të asaj natyre që të më përkrahin pak se kam punuar shumë
Nga shteti kërkojnë ndihmë, t'iu ndërtohet shtëpia teksa shprehen se nëse do kishin mundësi të takoni Kryeministrin do t'i thonin se pavarësisht premtimeve të tij, nuk ka bërë asgjë.
Edi Rama deklaronte në dhjetor 2019: Brenda 6-mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesat individuale janë sistemuar në një shtëpi të re.
Gruaja: Shtetit i kërkojmë ndihmë, duam shtëpinë, se i kam dhënë shtetit gjithë djersën time
Rama asgjë s'ke bërë do i thoja.
Mundohen të fshehin lotët, mundohen të fshehin dhimbjet, por teksa gazetarja largohet i japin edhe një porosi.
Gruaja: Thuaj Ramës nëse e takon, ishin dy pleq, kam qejf të shkosh ti shohësh vetë në ça gjendje janë dhe vendos ti ca të bëhet.