Ish-gjyqtarja Mimoza Margjeka del nga arresti shtëpiak
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-gjyqtaren Mimoza Margjeka nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.
Vendimi është marrë nga gjykata e shkallës së parë e cila ka shqyrtuar kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë.
Ndërsa për katër të proceduarit e tjerë, bashkëshortin e gjyqtares Arben Carën, avokatin Skënder Demiraj, Nejton Balin dhe Klaudjo Zhillën janë lënë në fuqi masat e sigurisë të dhënë më herët.
Demiraj është në arrest shtëpie, ndërsa të tjerët janë në masën e arrestit me burg.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.
Ish-gjyqtarja Mimoza Margjeka u arrestua pasi akuzohet se mori 6 mijë euro për të caktuar garanci pasurore për Orion Balin, i cili ishte në masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Bashkë me Margjekën u arrestuan dhe burri i ish-gjyqtares Arben Cara, avokati i Orion Balit Skënder Demiraj, i vëllai Nejton Bali dhe sekseri Klaudjo Zhilla.
Avokati Skënder Demiraj që mbron Orion Balin përmes njohjeve të tij ka ndërhyrë që përmes ryshfetit të nxirrte atë nga burgu duke kërkuar 6 mijë euro.
Të gjitha takimet dhe komunikimet e avokatit me vëllezërit Bali dhe të ëmën kanë qenë të përgjuara dhe të vëzhguara nga SPAK.
Margjeka gjatë seancave në GJKKO ka akuzuar se arrestimi dhe shkarkimi i saj janë politik pasi nuk i dha mandatin Valbona Sakos si kryetare e bashkisë së Durrësit.