Yuri Kim: Paratë e pista në Itali, Britani e SHBA pastrohen në Shqipëri, majmin portofolet e kriminelëve
Shqipëria është destinacioni i pastrimit të parave të fituara nga veprimtaritë e organizatave kriminale në Europë dhe më gjerë.
Deklarata na vjen nga amabsadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila tha se përgjigjja ndaj këtij fenomeni duhet të jetë rajonale dhe ndërkombëtare.
“Krimi i organizuar nuk respekton kufinj dhe reagimi ndërkombëtar duhet të mendojë dhe veprojë në përputhje me rrethanat. Të ardhurat e pista të veprimtarisë kriminale të Itali, Mbretërinë e Bashkuar ose SHBA shpesh gjejnë rrugën e tyre për në Shqipëri, ku ato pastrohen dhe përdoren për të majmur portofolet e kriminelëve, për të vajosur korrupsionin dhe për të kryer krime të mëtejshme.”
Diplomatja amerikane inkurajoi përdorimin e pasurive të sekuestruara në dobi të shoqërisë.
“Ripërdorimi shoqëror i aseteve u dërgon një sinjal të fortë qytetarëve për forën dhe efektivitetin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve publike. Kjo qasje mund të krijojë biznese të qëndrueshme, të rrisë mundësitë e punësimit dhe të ndihmojë në avancimin e projekteve për të mirë shoqërore në fushat e arsimit dhe fuqizimit të të rinjve.”
Ambasadorja shprehu edhe njëherë mbështetjen e SHBA në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deklaratat Kim i dha gjatë pjesëmarrjes në një ëorkshop organizuar nga OSBE.