Hetim për kanibalizëm në Gjermani, gjenden eshtrat e një personi në një park të Berlinit

Zbulimi i eshtrave të një personi në një park gjerman ka ngritur dyshimet për një rast kanibalizmi.

Policia e kryeqytetit njoftoi se skeleti i një këmbe njeriu u gjet në veri të Berlinit.

Mendohet se viktima mund të jetë një inxhinier 44-vjeçar që kishte humbur gjurmët që nga data 5 shtator.

Sipas prokurorëve, për ngjarjen është arrestuar një 41-vjeçar me akuzën e vrasjes me motiv kryerjen e marrëdhënieve seksuale.

Nga të dhënat paraprake, raportohet se i dyshuari dhe viktima mund të jenë takuar në internet nëpërmjet një forumi për personat me prirje homoseksuale.

Vrasja mund të ketë ndodhur në apartamentin e të dyshuarit, një profesor matematike dhe fizike, që pasi e ka gjymtuar trupin, raportohet se mund të ketë konsumuar edhe mishin e viktimës.

Hetuesit gjetën prova që tregonin interesat e tij për kanibalizëm, bazuar në faqet që shfletonte në internet, por edhe nga prania e thikave dhe e sharrave të ndodhura në banesën e tij.

Pjesë të trupit të viktimës u zbuluan fillimisht nga banorët rastësisht edhe me ndihmën e qenve policia gjermane u drejtua në shtëpinë e autorit.

Në Gjermani, krimi i fundit rikthen në kujtesë një akt të ngjashëm të viteve 2000 kur autori sërish me prirje homoseksuale e kishte njohur viktimën e tij në internet, e kishte vrarë dhe e kishte ngrenë pas aktit seksual.

Kanibali Armin Meiwes u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2006.