Joe Biden fiton në Xhorxhia
Shpresat e presidentit amerikan, Donald Tramp, për të rifituar Shtëpinë e Bardhë përmes kontestimit të zgjedhjeve nuk po japin rezultat, ndërsa demokrati Xho Bajden po konsolidon fitoren.
Ish-zv.presidenti u shpall të enjten fitues për së dyti i Xhorxhës, edhe pse me një diferencë prej vetëm 12,200 vota pas rinumërimit të plotë të gati 5 milionë votave të shtetit.
Në nivel kombëtar, diferenca mes të dyve është rritur në afro 6 milionë, demokrati pritet të marrë 306 nga 270 votat elektorale që i duhen për presidencën, ndërkohë që presidenti Tramp sërish pretendon se votat në favor të tij janë përjashtuar ose janë manipuluar.
"Ky president ka për të mbetur në historinë amerikane si një nga më të papërgjegjshmit. Nuk është aspak brenda normave. Jam i sigurt që ai e di se nuk ka fituar, nuk do arrijë dot të fitojë dhe më 20 janar, ne do bëjmë betimin. Por kjo që ai po bën është e tepërt," deklaroi Bajdeni.
Fitorja e tij në Xhorxhë konsiderohet arritje për demokratët pasi ky shtet nuk fitohej prej tyre që nga zgjedhjet presidenciale të 1992-it me në krye Bill Klintonin.
Republikanët, ndërkohë, kanë kërkuar që dyshimet e tyre për parregullsi në votime t'i shqyrtojë tani Kongresi me komisione të posaçme hetimore.
Avokati i presidentit Tramp, Rudi Xhuliani, kritikoi edhe mediet se nuk po bëjnë punën e tyre.
"Ka njerëz që kanë votuar dy herë, nga jashtë shtetit, apo edhe votues fëmijë. Detyra juaj është t'i lexoni këto dhe jo të raportoni se nuk ka prova. Të tilla incidente kurdoherë do zinin faqet e para të gazetave, por kjo nuk po ndodh sepse ju keni një urrejtje patologjike ndaj presidentit Tramp."
Një sondazh i fundit i agjencisë "Rojter" tregoi se 68 për qind apo dy të tretat e votuesve të djathtë republikanë po ashtu i besojnë skenarit të manipulimeve zgjedhore, 52 përqind besojnë se zgjedhjet i ka fituar Trampi dhe vetëm 29 përqind e njohin Bajdenin si presidentin e zgjedhur.