BOOM - 93-vjeçarja jeton në verbëri të plotë, por i mohohet kujdestaria. Mjekët kundërshtojnë njëri-tjetrin
Emisioni BOOM në RTV Ora trajtoi sot rastin e Razmije Fafa, një e moshuar 93 vjeçare që banon në Fier.
Ka rreth 3 vite që e moshuara jeton në verbëri të plotë dhe ka mall të shohë fëmijët nipërit dhe mbesat.
Por për më tepër dëgjojmë vetë dëshminë e saj.
Razmie Fafa: Kam 3 vite kështu. Më mori perëndia sytë, po nuk pata njeri brenda unë fëlliq dynjanë. Më ndihmon djali për të lëvizur, nusja por ka fëmijën e vogël. Më ka marrë malli të shoh fëmijët, kjo nuk është jetë. Shteti as lekët që më takojnë nuk më jep.
Sikur të mos mjaftonte fakti që e moshuara jeton në verbëri të plotë, kempi i kanë refuzuar edhe kujdestarinë.
Edhe pse mjeku specialist ka deklaruar se nuk mund të kryhet një ndërhyrje kirurgjikale te 93 vjeçarja, Shërbimi Social Shtetëror mendon të kundërtën.
Ata deklarojnë se duhet të shqyrtohet mundësia për një intervent, pra dy vendime kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Djali: E çuam mamanë për ta nxjerrë në kemp. I dhane grupin e 2 që nuk ka nevojë për kujdestari dhe ne kërkojmë grupin e parë. Në Fier kemi kontaktuar me mjekët dhe komisioni na ka thënë që nëna nuk mund të kryejë operacion. Ndërkohë kempi më thotë që të shikohet për operacion.
Ajo nuk shikon fare dhe ka nevojë për një person që të kujdeset për të. Ne kërkojmë që mami të përfitojë kujdestari, sepse ajo ka nevojë për një njeri që t‘i qëndrojë pranë gjithë ditën.