Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla merret i pandehur por i hiqet sekuestroja e pronave
Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion i ka hequr sekuestron të vendosur ndaj pasurive të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla pas 1 vit e gjysmë hetim. Vendimi u mor nga gjyqtarja paraprake Irena Gjoka e cila vendosi se ish kryeprokurori do të kalojë në gjykim si i pandehur.
Ai do të gjykohet në Gjykatën e Posaçme për akuzën e fshehjen të pasurisë dhe deklarim të pasaktë të pasurive në tre raste sipas një hetimit të çelur në prokurorinë e Durrësit, menjëherë sapo organet e vettingut dorëzuan rezultatet e tyre.
Hetimet u ndoqën nga prokurori Klodian Braho ndërsa i gjithë procesi u monitorua nga përfaqësuesit e ambasadës së SHBA.
Në bazë të veprës penale për të cilën akuzohet LLalla rrezikon dënimin nga gjobë në tre vite burg.
Kur nisën hetimet?
Hetimet nisën pikërisht në momentin kur ish Prokurori i Përgjithshëm u dorëhoq nga e drejta për të vazhduar udhëtimin në drejtësi. Hetimët nisën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kohën kur ajo drejtohej nga Donika Prela.
Kjo solli gjithashtu ndërprerjen e procesit të vettingut dhe daljen nga sistemi të Llallës për 15 vitet e ardhshme, por ndërkohë deklarimi i pasaktë referuar deklaratave të firmosura prej tij në ILDPKI u kthye në një çështje penale.
Çështja hetimore për ish kryeprokurorin, u regjistrua fillimisht në Durrës në mars 2018 dhe më tej për shkak se u shtuan edhe akuza të tjera, dosja kaloi për kompetencë pranë ish Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Sekuestroja
Menjëherë më pas disa prona u vunë në sekuestro. Bëhet fjalë për një apartament në Durrës e tre troje me vlerë 1 miliardë lekë të vjetra.
Por prokuroria hoqi dorë nga sekuestroja në seancën paraprake duke kërkuar lirimin e tyre.
Llalla përfaqësohet në gjykatë nga avokati Sokol Azizaj i cili disa herë ka kërkuar pushimin e hetimeve me argumentin se nuk ka elementë të veprës penale.