“Kthesa e gabuar” në Elbasan, ndërprerja e rrugës "Thoma Kalefi", shkak për aksidente

Banorët e Lagjes "Brigada e 17 Sulmuese" prej kohësh kanë ngritur alarmin për një kthesë në rrugën Thoma Kalefi e cila është shndërruar në shkak për aksidente! Ata thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar ndërhyrjen e bashkisë, por institucioni nuk ka marrë asnjë masë për të shmangur rrezikun.

Kjo kthesë për ndryshimin e kahut të lëvizjes në rrugën "Thoma Kalefi" në Elbasan është kthyer në një njollë të zezë të aksidenteve.

Më i fundit u shënua të martën, ku mbeti i plagosur rëndë një 22-vjeçar.

"Thyemë smartin se është gjyhan. Parmbrëmë desh vdiq një 22-vjeçar."

Banorët e Lagjes "Brigada e 17 Sulmuese" prej kohësh e kanë ngritur alarmin për atë që e kanë pagëzuar si Kthesa e Gabuar.

Fluksi i lartë i automjeteve, ku sipas banorëve një pjesë nuk respektojnë as kufizimet e shpejtësisë në qytet dhe mungesa e sinjalistikës e kanë bërë këtë vend të frikshëm.

"Këtu janë edhe të papërgjegjshëm shoferët, prandaj duhet mbyllur."

Në vazhdimësi thonë se i janë drejtuar Policisë rrugore e Bashkisë së Elbasanit si autoritet përgjegjës, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

"Nuk ka ditë që nuk ka aksidente. Kemi bërë ankesa në polici dhe bashki."

Bashkia Elbasan ndërkohë vazhdon të qëndrojë indiferente përballë kërkesës së banorëve për ti dhënë zgjidhje këtij shqetësimi.