"Gjyqi në Hagë nuk mund të nisë para qershorit 2022" Avokatët e ish drejtuesve të UÇK-së kërkojnë kohë

Avokatët e ish-presidentit Hashim Thaçi, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë kërkuar 18 muaj kohë përpara se t'i nënshtrohen gjykimit në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Seanca e së mërkurës përballi nga interneti prokurorët dhe drejtuesin paraprak të çështjes me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbrojtësit e tyre.

Pala akuzuese propozoi që pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që rëndojnë ndaj tyre të gjykohen duke nisur nga qershori i vitit të ardhshëm.

 “Realiteti është që nga informacionet që disponon mbrojtja, nuk ka befasi, nuk ka arsye që gjykimi të mos fillojë në verën e vitit 2021”, tha prokurorja Kler Louson.

Avokati i ish-presidentit Thaçi, Devid Huper, e quajti absurd propozimin, duke i mëshuar faktit se prokurorisë iu deshën 5 vite kohë për të hetuar ngjarjet e pretenduara gjatë luftës Kosovë-Serbi dhe përsëri aktakuza që ekziston ka ende pjesë të paredaktuara.

“Gjykimi që nis në qershor është absolutisht absurd. Mendoj se të paktën 18 muaj do na duhen përpara se të mund të nisim të mendojmë për fillimi e gjykimit. Për mendimin tonë propozimi që të nisë në qershor është absolutisht absurd. Kjo është një çështje e komplikuar. Mund të nisë në verë, qershor por jo vitin e ardhshëm por një vit më pas” u shpreh avokati i Hashim Thaçi, David Hooper.

Kritikat për kohën e shkurtër në dispozicion i mbështetën edhe avokatët e tjerë mbrojtës.

"Që të dëgjohet nga avokatja e prokurorisë që çohet aty edhe thotë se i di se cilat janë akuzat kundër të akuzuarve, kjo është tronditëse. Realiteti është që, pasi ne të njihemi me akuzat që janë paraqitur kundër nesh do të na duhen minumumi 18 muaj hetime. Ky vlerësim nuk është nxjerrë nga mëndja jonë por mbi bazën e gjykimeve të mëparshme në tribunalin e Hagës, ku janë përgjigjet për antarët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, që kishin një model të njëjtë por që ishin shumë më të ngushta në fushveprimin e tyre.Ne propozojmë hetimet të bëhen nga hetues ndërkombëtarë shumë me përvojë që do i kalojnë akuzat një nga një dhe dot i hetojne një nga një.

 Bazuar në përvojat e gjykimeve në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, kundër anëtarëve të UÇK-së, gama dhe natyra e hetimeve që kërkohen nga mbrojtja do të jenë mjaft të mëdha. Përvoja gjithashtu na ka treguar se mund të ketë prova false që në shumë raste janë paraqitur nga vetë prokuroria. Ndoshta prokuroria nuk e di, por do duhet të bëjmë ekzaminim kriminalistik të fakteve të paraqitura,” deklaroi Ben Emerson, avokati i ish-kryetarit të PDK-së, Veseli.

Prokurorët e specializuar kanë kërkuar 30 ditë kohë për të redaktuar provat voluminoze, material e konfiskuara në pronat e të pandehurve dhe 40 mijë faqe material mbështetës.

Pala akuzuese gjithashtu ka kërkuar mbrojtjen fizike të më shumë se 150 dëshmitarëve.

4 ish-funksionarët e lartë të Kosovës po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale ndërsa këmbëngulin se janë të pafajshëm për krimet për të cilat akuzohen.

Në aktakuzën e Gjykatës Speciale, pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi kanë vrarë, kanë frikësuar dhe kanë keqtrajtuar persona të etnive të ndryshme si pjesëtarë të UÇK-së që prokurorët e cilësojnë ndërmarrje të përbashkët kriminale.