Ramush Haradinaj nuk mohon ambiciet për t'u bërë president i Kosovës

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, nuk i ka mohuar ambiciet për t'u bërë president i Kosovës pas dorëheqjes së parakohshme të Hashim Thaçit.

Gjatë një takimi në selinë e PDK-së, Haradinaj deklaroi javën e kaluar se po kërkon edhe votat e opozitës për këtë synimin, duke ofruar në këmbim mbështetjen për një qeveri me ta në krye.

Ndërsa përgjigjja e PDK-së nuk është zyrtarizuar, nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetja Mimoza Kusari-Lila e sheh strategjinë e ish-kryeqeveritarit me përbuzje dhe si antikushtetuese.

 “Zotëri Haradinaj ka treguar që nuk është fare adekuat për këtë zyrë, me vetë faktin si ka filluar të kërkojë vota, duke filluar të bëjë gabime përmbajtjesore. Nuk i ka njohurit bazike për Kushtetutën e vendit, duke ofruar vota ‘veresi’ për të ardhmen nga pozita e presidentit që është shkelje e kushtetutës.”, është shprehur Mimoza.

Kusari-Lila thotë se çështja e emërimit të presidentit i duhet besuar një qeverie të re.

Kryetarja e partisë "Alternativa" paralajmëron se në javët në vijim do të rishtrohet për shqyrtim mocioni për votëbesimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe të qeverisë së tij.

 “Besoj që mund të ketë mjaftueshëm deputetë të shumicës shqiptare, por edhe pakicave të tjera për të ftuar seancën fillimisht, e më pastaj për të votuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Hoti.... siç po shihet dallimet po thellohet edhe ndërmjet partnerëve qeverisës, por edhe partitë që e kanë mbështetur.”

Në rrethanat aktuale, opozita sheh zgjedhjet si të vetme zgjidhje për t'i dhënë vendit drejtim të ri politik.

 “Daljen e një qeverie me legjitimitet dhe një Kuvendi me përgjegjësi dhe program intensiv të ruajtjes së shëndetit, por edhe rimëkëmbjes.”

Ish-zv.kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë, Kusari-Lila, mendon se edhe dialogu Kosovë-Serbi duhet rivlerësuar në tërësi.

 “Do të thotë qeveria e Kosovës aktualisht kanë shkuar në dialog me agjenda të përcaktuara nga të tjerët, nuk ka dalë në mënyrë proaktive të përcaktojë agjendë të vetën.”