Haki Abazi: Me Biden marrëveshja në Washington nuk do të jetë ajo çfarë ka pritur Serbia
Në një lidhje Skype nga Prishtina, ish zv/kryeministri I Kosovës Haki Abazi, teksa komentoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, shprehur kënaqësinë e tij për fitoren e dyshes demokrate Biden-Harris.
Sipas Abazit, që po i ndjek nga SHBA zhvillimet amerikane, Trump nuk ka asnjë shans të përmbysë rezultatin zgjedhor.
Haki Abazi: “Kemi një rezultat të pastër dhe të numëruar në Kolegj Zgjedhor. Ku presidenti I zgjedhur ka mbi 306 vota dhe Trump ka 232. Në asnjë situatë nuk do të ndodhë që kjo të përmbyset por është hera e parë në historinë e SHBA që një president, që ka humbur zgjedhjet, tenton të sfidojë jo vetëm një shtet por disa shtete brenda SHBA dhe rezultatin e tyre.
Mendoj se do të ketë vonesa dhe në gjykimin tim kjo po bëhet për dy arsye: po bëhet një fushatë e ashpër për të mbledhur sa më shumë fonde për presidentin Trump dhe kemi një garë të përfarët për ulëset në Senat”.
Sa i përket marrëveshjes Kosovë-Serbi, firmosur në shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit Donald Trump, Abazi u shpreh:
“Kjo marrëveshje ka qenë një prej tentativave për ta përdorur për fushatë elektorale, si një arritje të politikës së jashtme të SHBA dhe një material me të cilin do të komunikohej me grupe të caktuara të votuesve në SHBA, veçanërisht ata që duan të shohin rolin e presidentit të SHBA në Lindjen e Mesme sepse e keni parë që gjatë gjithë kohës Kosova është përkufizuar si një sukses i arritur për Lindjen e Mesme.
Dhe, nuk është e habitshme për ata që përcjellin rrjedhat e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rolit të SHBA në atë pjesë të botës dhe raporti me Izraelin që është jashtezakonisht e komplikuar në kuptimin e raportit me fqinjët e Izraelit në Lindjen e Mesme.
Kjo ka bërë që Kosova të bëhet material elektoral dhe të përdoret nga ambasadori Grenell në atë kohë.
Asnjë gjë në kuptimin praktik nuk ka ndodhur, dhe kjo është e mira e mundshme që ka ndodhur me Kosovën. Nuk është futur në ndonjë eksperiment të tipit ndarje territoresh të veta apo përfshiren në ndonjë marrëveshje që do të kishte pasoja të rënda".
Abazi nënvizon se Serbia do të insistojë pë Ujmanin por administrata e Biden nuk do të jetë në asnjë formë e predispozuar të thellojë problemet që do të shkaktonte zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në shtator në SHBA.
Haki Abazi për Ora News: "Unë jam i bindur se zoti Biden e ka të qartë rolin e Rusisë në Ballkan dhe tendencën e Serbisë për dominim në Ballkan. Nuk ka dilemë që do kemi kthim të kursit dhe qasjes dhe marrëveshja nuk do të jetë ajo çfarë ka pritur Serbia të implementojë me përkrahjen e lobistëve në Washington dhe e përballur me një qeveri jolegjitime në Kosovë e cila për të mbajtur veten pranoi çdo lloj marrëveshje me Grenell.