Shtegtoi edhe një bilbil....Ndahet nga jeta artisti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore
Ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në moshën 85-vjeçare, artisti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, këngëtari me vokalin e veçantë, artisti me aftësi të rralla, Sali Brari.
Lajmi u bë i ditur nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
"Lamtumirë – Bilbilit të këngës popullore Sali Brari.Shtegtoi edhe një bilbil....Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi ndarjen nga jeta të artistit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, këngëtari me vokalin e veçantë, artisti me aftësi të rralla, Sali Brari.Sali Brari shndriti në çdo shesh e në çdo skenë të vendit. Po aq i suksesshëm ishte edhe në turnetë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Europë, Azi e Afrikë, duke i mahnitur të huajt me fuqinë interpretative dhe zërin aq të veçantë e melodioz. Për aktivitetin dhe kontributin e tij në fushën e interpretimit të muzikës popullore, Kuvendi Popullor e ka vlerësuar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të I-rë.Në emër të drejtuesve dhe artistëve, TKOBAP i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, bashkëpunëtorëve dhe miqve të shumtë të artistit Sali Brari.I përjetshëm do të mbetet kujtimi i tij!"
Sali Brari u lind në Tiranë më 18 maj të vitit 1935. Që në shkollën fillore u shpërfaq talenti i tij me zërin e ëmbël e të ngrohtë, duke u aktivizuar në aktivitetet muzikore të asaj periudhe.
Në vitin 1956, Sali Brari u emërua këngëtar pranë Estradës së Shtetit. Me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ai iu bashkua kësaj trupe, derisa sa doli në pension.
Gjatë kësaj periudhe, ai kreu edhe Liceun Artistik pranë degës së kantos.
Në repertorin e Sali Brarit gjejmë një larmi këngësh popullore, këngë të përpunuara, këngë popullore të krijuara nga kompozitorët tanë, deri tek interpretimi prej tij në operetën “Vjeshtë e artë” e kompozitorit Tish Daija si dhe në operan “Skënderbeu”.