Lamtumira për Avni Mulën, artisti që u dha shqiptarëve “Valsin e lumturisë”
Arti dhe kultura shqiptare i dhanë lamtumirën nje prej emrave që firmosi mbi dhjetra vepra të mëdha muzikore. Kompozitori dhe këngëtari Avni Mula u nda nga jeta në moshën 92 vjeçare, por la pas një thesar të çmuar. Ai do të mbahet mend si autori i këngës “Valsi i lumturisë”.
Me muzikën që i kushtoi jetën dhe nën duatrokitjet që nuk i munguan kurrë, iu dha lamtumira kolosit të këngës, Avni Mula.
Kompozitori, autori dhe interpretuesi i një morie veprash artistike që kanë lënë gjurmë në historinë e artit shqiptar u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare këtë të enjte.
Ai do të mbahet mend edhe si babai i “Valsi i lumturisë” një këngë që mbetet e pëlqyer edhe sot dhe shënjon jetën e mjaft njerëzve.
Njerëz të artit, të letrave dhe politikës i kanë dhënë lamtumirën, duke shënuar edhe mendimet e fundit në librin e përshtypjeve.
Në homazhet që u mbajtën në hollin e Universitetit të Arteve, shprehën ngushëllimet edhe presidenti Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha e ish-kryeministri Berisha.
Një mesazh në lamtumirën e fundit të të atit e dha edhe sopranoja me famë botërore Inva Mula.
“Zgjodhëm këtë vend sepse këtu filloi opera, këtu filloi arti lirik. Këtu është gjithë fabrika dhe uroj të vazhdojë përjetë fabrika e artistëve shqiptarë.”
Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës , ku u diplomua si këngëtar lirik.
Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës.
Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës.
Ai është autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.
Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.