Lamtumirë Koço Devole! Të afërmit mes lotësh: Ishte akademi më vete, Charlie Chaplin i Shqipërisë
Artisti i mirënjohur Koço Devole u përcoll këtë të martë për në banesën e fundit. Të afërm dhe miq shprehën dhimbjen për humbjen e mikut të tyre si pasojë e Covid 19, duke e konsideruar si një akademi të artit dhe kulturës, kolegët e tij thonë se Shqipëria dhe arti humbën një nga ikonat e humorit.
Na la kujtim humorin por ikja e tij hidhëroi jo vetëm të afërmit dhe miqtë por edhe admiruesit e artit të tij.
Koço Devole u përcoll për në banesën e fundit këtët të martë.
Miqtë dhe të afërmit përcollën mes lotësh njeriun e tyre të dashur, duke e konsideruar një humbje jo vetëm për ta, por edhe për artin shqiptar.
Kolegët e tij e cilësojnë Koçon si "Charlie Chaplin" i Shqipërisë dhe si një shkollë të veçantë arti.
Agron Llakaj: Këto cilësi i ka pasur vetëm "Charlie Chaplin".
Xhevahir Zeneli: Ishte shkollë më vete. Ishte një Akademi.

Deri në ditët e fundit ai ka punuar për skeçe dhe vepra të tjera, për të cilët kolegët e tij premtojnë se do ti vënë në jetë shumë shpejt.
Agron Llakaj: Jo më larg se para një viti më dorëzoi një telekomedi shumë të bukur, të cilën unë e kam si mision ta çoj deri në fund, ta realizoj ashtu siç dinte ai.
Koço Devole meritonte një tjetër përcjellje, thonë miqtë, një respekt kombëtar nga institucionet shtetërore.
"Mbetet e pakuptueshme që ceremonia funerale e tij bëhet privat dhe jo një institucion shtetëror ku ai shërbeu përgjatë gjithë jetës së vet".
Saimir Kodra: Koço Devole vdiq në vendin e tij këtu në Tiranë në një shtëpi me qira, në të gjithë këtë vend social ku ka sot merita siç pretendojmë të ketë një artist i mirëfilltë si Koçoja nuk kishte mundësi të kishte shtëpinë e tij qoftë nga bashkia apo shteti.
Humoristi i njohur dhe regjisori Devole nuk e mundi dot virusin SARS CoV 2. Prej ditësh ai ishte i shtruar në spitalin Infektiv, ku edhe humbi jetën.
Devole kishte marrë një trajtim mjekësor paraprak në këtë spital dhe në 31 tetor, por doli prej tij pasi gjendja shëndetësore u duk se u përmirësua.
Por ai u kthye me urgjencë një ditë më pas pasi shfaqi komplikacione, kësaj herë në intubim.
Devole la për shqiptarët vepra dhe personazhe që do të mbahen mend gjatë.
Ai është autor dhe regjisor i shumë spektakleve skenike me trupën e Estradës së Tiranës, Fierit dhe Beratit.