Covid nuk e ndal këngën e fëmijëve, por fituesi i Festivalit të Shkodrës do shpallet në fund të vitit

Ashtu siç ka ndodhur edhe në momentet më të vështira për vendin, Festivalin e Këngës për Fëmijë në Shkodër nuk e ndali as pandemia e koronavirusit. Por situata në vend, diktoi organizimin vetem në një natë.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fwmijë në Shkodër erdhi ndryshe në edicionin e 58 i diktuar nga situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Në skenë u ngjiten 18 interpretime, pasi dy konkurrentë u tërhoqën nga gara për shkak se familjarët e tyre rezultuan pozitiv me Covid 19.

Drejtori i Festivalit, Kujtim Alija, pranon se megjithë sfidat që kjo kohë diktoi, pritshmëritë janë përmbushur dhe tradita e krijuar ka konsoliduar këtë organizim.

As vitet e vështira të ndryshimit të sistemit, apo trazirat e 1997-1998 nuk e ndalën Festivalin, prandaj nuk kishte si ta bënte pandemia këtë gjë.

Sivjet Festivali u mbajt vetëm një natë dhe pa fitues. Këngët do të hidhen në Youtube dhe më e klikuara do të shpallet në fundvit fituese e Festivalit.