Elbasani nuk e ndal jetën kulturore edhe në kohë pandemie

Pandemia e koronavirusit ka ndikuar shuam edhe në jetën kulturore dhe aktivitetin e artistëve. Por në Elbasan, pavarësisht pandemisë është mbajtur Festivali Ndërkombëtar i Orkestrës se Harqeve, një Festival që ka sjellë sado pak gjallërinë në qytet.

Edhe pse në Kohë të vështira për artin, për shkak të pandemisë së koronavirusit, qyteti i Elbasanit nuk ka ndalur aktivitetet kulturore që gjallërojnë qytetin.

Së fundmi është çelur në Elbasan, edicioni i pestë i Festivalit  “Takimi ndërkombëtar i orkestrës së harqeve”.

Sipas organizatorëve, muzika sheshon kufijtë, rikthen shpresën dhe shëron shpirtrat e plagosur, ndaj gjykuan që edhe këtë vit të mos mungonte.

Për  herë të parë në këtë Festival edhe artistët performuan me maska. Pandemia bëri që 4 grupe  të tërhiqeshin në momentin e fundit  nga pjesëmarrja.

Në fund të Festivalit, çmimi i parë ju dhurua Orkestrës së Harqeve të “Sigal Unica”, çmimi i dytë Orkestrës së Harqeve Elbasan dhe çmimi i  tretë u fitua nga Orkestra e Harqeve Vlorë.