Kapen duke shkëmbyer mbi 1 kg kokainë në një lokal në plazh

Tre persona janë arrestuar teksa po shkëmbenin mbi 1 kg lëndë narkotike të dyshuar kokainë, informoi sot policia e Durrësit. 

Aleksander Gumeni 42 vjec, Anton Ndoja 34 vjeç, Frenkli Domi 20 vjeç, janë kapur nga efektivët e policisë në flagracë teksa po kryeninin shit-blerje të një sasie kokainë.

“Gjatë operacionit, në bazë të informacioneve të siguruara se këta shtetas po tentonin të kryenin shitblerjen e një sasie kokaine në një lokal në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, këta tre shtetas duke shkëmbyer 1 kg e 113.5 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë," informoi policia.

Pas arrestimit, policia ka kryer një kontroll në banesën e Anton Ndojës, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një krehër dhe 33 fishekë.

Operacioni u kodua "Pure drugs"

Kjo është një ndër sasitë më të mëdha të kapura kohët e fuNdit në vendin tonë e drogërave të forta, ndërsa ende nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një rrjet shpërndarësish lokal, apo rrjet më të gjerë trafikantësh.

Tre të arrestuarit janë të akuzuar zyrtarisht deri më tani për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Mbajtja pa leje e municionit luftarak" kryer në bashkëpunim.