Tragjedi në Mesdhe, mbyten 74 emigrantë pranë brigjeve të Libisë, mes tyre gra dhe fëmijë
Në ujërat e Mesdheut Qendror është regjistruar një tjetër tragjedi njerëzore, me të paktën 74 persona të mbytur dhe 110 viktima gjithsej në katër ditët e fundit.
Grupe emigrantësh ishin nisur nga brigjet e Libisë dhe po tentonin të lundronin për në Europë kur anija e tyre e mbushur mbi kapacitetin nisi të fundosej pak kilometra më tutje.
Mjeti po transportonte rreth 120 persona, gra dhe fëmijë, por vetëm 47 prej tyre arritën të nxirren gjallë me ndihmën e gardës bregdetare dhe të peshkatarëve vendës.
Skenat e dhimbshme të së enjtes u filmuan nga ekipet e shpëtimit.
Kjo është tragjedia e rradhës që u merr jetën dhjetëra emigrantëve, të cilët përpiqen të largohen nga Afrika Veriore për shkak të luftërave në vendlindje, krizës humanitare, por edhe regjimeve politike që shkelin të drejtat e tyre, i lënë pre të abuzimeve, trafikimit apo shfrytëzimit.
Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin ka raportuar për tetë anije të mbytura që nga fillimi i tetorit, ndërsa gjatë vitit udha e rrezikshme detare ka përfunduar fatalisht për gati 900 persona.
Më shumë se 11 mijë të tjerë janë shpëtuar ose lokalizuar në kohën e duhur.
Mbi 780 libianë në harkun e këtyre dy muajve kanë gjetur strehim në tokën italiane dhe në Maltë.