Rezervat e uraniumit të pasuruar në Iran, 12 herë më të mëdha sesa është përcaktuar
Irani rezulton të ketë shkelur sërish kufizimet e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke rritur rezervat e lëndëve të koncentruara radioaktive për armë atomike.
Një raport i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike tregon se Irani ka krijuar rezerva të uraniumit të pasuruar në masën 2,4 tonë, sasi 12-fish mbi normën e rënë dakord me Amerikën, Gjermaninë, Francën, Britaninë, Kinën dhe Rusinë.
Mësohet se Teherani gjithashtu ka zhvendosur nën tokë një nga centrifugat e veta të avancuara për përpunimin e uraniumit për t'i mbrojtur nga një akte të mundshme bombardimi e sabotazhi.
"I kërkojmë komunitetit ndërkombëtar të garantojë që Irani nuk do përftojë armë të shkatërrimit në masë dhe nuk do e avancojë programin e vet raketave balistike," reagoi të mërkurën mbreti i Arabisë Saudite.
Agjencia atomike shtoi se pretendimet se Irani po magazinon materiale bërthamore shtesë në disa zona të padeklaruara, “nuk janë të besueshme”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u larguan nga marrëveshja me republikën islamike në vitin 2018 me arsyen se vendi nuk po respektonte zotimet për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë.
Sipas republikanëve, Irani ka në dispozicion material të mjaftueshëm për një bombë atomike.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Xho Bajden, është deklaruar se ai mund ta heqë dorë nga politika e presionit maksimal të paraardhësit, Donald Tramp, dhe mund t'i rikthehet akordit shumëpalësh të arritur pesë viteve më parë kur ai kishte rolin e zv.presidentit.
Përmes diplomacisë, administrata e re pritet të përmirësojë raportet e ngrira me Teheranin.
Një ditë më parë, presidenti iranian, Hasan Ruhani, tha se vendi i tij do shfrytëzojë çdo mundësi për të ulur peshën e sanksioneve që rëndojnë prej muajsh në shpatullat e popullit të tij.